Libri i gjenealogjisë së Jisu Krishtit, të birit të Davidit, të birit të Abrahamit.
Abrahamit i lindi Isaku; dhe Isakut i lindi Jakovi; dhe Jakovit i lindi Juda dhe vëllezërit e tij;
Edhe Judës i lindi Faresi dhe Zarai nga Tamara; dhe Faresit i lindi Esromi; dhe Esromit i lindi Arami;
Edhe Aramit i lindi Aminadavi; dhe Aminadavit i lindi Nasoni; dhe Nasonit i lindi Salmoni;
Edhe Salmonit i lindi Vozi nga Rahaba; dhe Vozit i lindi Ovidi nga Ruthi; dhe Ovidit i lindi Jeseu;
Edhe Jeseut i lindi Davidi, mbreti. Edhe mbretit David i lindi Solomoni nga gruaja e Uriut;
Edhe Solomonit i lindi Roboami; dhe Roboamit i lindi Abiai; dhe Abiait i lindi Asai;
Edhe Asait i lindi Josafati; dhe Josafatit i lindi Jorami; dhe Joramit i lindi Ozia;
Edhe Ozisë i lindi Joatami; dhe Joatamit i lindi Akazi; dhe Akazit i lindi Ezekia;
Edhe Ezekisë i lindi Manasiu; dhe Manasiut i lindi Amoni; dhe Amonit i lindi Josia;
Edhe Josisë i lindi Jehonia dhe vëllezërit e tij, në kohën e shpërnguljes në Babilonë.
Edhe pas shpërnguljes në Babilonë, Jehonisë i lindi Salatieli; dhe Salatielit i lindi Zorobabeli;
Edhe Zorobabelit i lindi Aviudi; dhe Aviudit i lindi Eliakimi; dhe Eliakimit i lindi Azori;
Edhe Azorit i lindi Saduku; dhe Sadukut i lindi Akimi; dhe Akimit i lindi Eliudi;
Edhe Eliudit i lindi Eleazari; dhe Eleazarit i lindi Matani; dhe Matanit i lindi Jakovi;
Edhe Jakovit i lindi Josifi, burri i Marisë, prej së cilës lindi Jisui që thuhet Krisht.
Gjithë brezat pra, që nga Abrahami e deri në ditët e Davidit, janë katërmbëdhjetë breza; dhe që nga Davidi e deri në shpërnguljen në Babilonë katërmbëdhjetë breza; dhe nga shpërngulja në Babilonë e deri në ditët e Krishtit katërmbëdhjetë breza.
Edhe lindja e Jisu Krishtit kështu ka qenë; pasi u fejua e ëma e tij, Maria, me Josifin, përpara se të bashkoheshin, u gjend shtatzënë nga Shpirti i Shenjtë.
Edhe Josifi, burri i saj, duke qenë i drejtë, e duke mos dashur t’i nxjerrë asaj zë të lig, deshi ta lëshojë fshehurazi.
Po ndërsa ai ishte duke menduar këto, ja një engjëll i Zotit tek iu duk në ëndërr, duke thënë: Josif, bir i Davidit, mos u frikëso të marrësh me vete gruan tënde Mariamin; sepse mbarsja që u bë tek ajo është nga Shpirti i Shenjtë.
Edhe do të lindë djalë dhe do t’ia vësh emrin Jisu; sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga fajet e atyre.
Edhe gjithë kjo u bë, që të përmbushet e thëna prej Zotit me anë të profetit, që thotë:
“Ja virgjëresha tek do të mbarset, dhe do të lindë djalë, dhe do t’ia vënë emrin Emanuel”, që e përkthyer do me thënë, Perëndia bashkë me ne.
Edhe Josifi, si u zgjua nga gjumi, bëri siç e urdhëroi engjëlli i Zotit, dhe mori pranë vetes gruan e tij.
Edhe nuk e njohu atë, derisa bëri të birin e saj, të parëlindurin; dhe ia vuri emrin Jisu.
Edhe në ato ditë vjen Joan Pagëzori duke predikuar në shkretëtirën e Judesë,
e duke thënë: Pendohuni, sepse u afrua mbretëria e qiejve.
Sepse ky është ai që u fol nga profeti Isaia që thotë: “Zëri i atij që thërret në shkretëtirë: Bëni gati udhën e Zotit; bëni rrugët e tij të drejta”.
Edhe Joani vetë kishte veshjen e tij prej lesh gamileje, dhe brez lëkure rreth mesit të tij; edhe ushqimi i tij ishte karkaleca dhe mjaltë i egër.
Atëherë dilte jashtë tek ai Jerusalemi dhe gjithë Judea dhe gjithë vendi përqark Jordanit;
Edhe pagëzoheshin në Jordan nga ai, duke rrëfyer fajet e tyre.
Edhe kur pa se shumë nga Farisenjtë e Saduqenjtë po vinin në pagëzimin e tij, u tha atyre: Pjellë nepërkash, cili ju tregoi të ikni nga zemërimi që vjen?
Bëni pra pemë të vlefshme për pendim.
Edhe të mos ju shkojë ndër mend të thoni me veten tuaj: Atë kemi Abrahamin. Sepse po ju them juve, se Perëndia mundet edhe nga këta gurë t’i ngrerë djem Abrahamit.
E tani edhe sëpata rri pranë rrënjës së drurëve; çdo dru pra që s’bën pemë të mirë pritet, dhe hidhet në zjarr.
Unë ju pagëzoj me ujë për pendim; po ai që vjen pas meje është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i zoti t’i mbaj këpucët. Ai do t’ju pagëzojë ju me Shpirt të Shenjtë e me zjarr.
Ai ka lopatën në dorën e tij, dhe do të pastrojë lëmin e tij, dhe do të mbledhë grurin e tij në grunar, por kashtën do ta djegë në zjarr të pashuar.
Atëherë Jisui vjen nga Galilea në Jordan tek Joani, që të pagëzohet prej tij.
Po Joani e ndaloi atë, duke thënë: Unë kam nevojë të pagëzohem prej teje, e ti vjen tek unë?
Edhe Jisui u përgjigj e i tha: Lëre tani, sepse kështu ne duhet të përmbushim çdo drejtësi. Atëherë e la atë.
Edhe Jisui, si u pagëzua, menjëherë doli nga uji. Edhe ja tek u hapën qiejt dhe pa Shpirtin e Perëndisë duke zbritur si pëllumb e duke ardhur mbi të.
Edhe ja një zë nga qiejt që thoshte: Ky është biri im i dashur, që e kam pëlqyer.
Edhe kur pa turmat, ai u ngjit në mal, dhe si ndenji, i erdhën pranë nxënësit e tij.
Edhe atëherë hapi gojën, e i mësonte duke thënë:
Lum të varfërit në shpirt, sepse e tyrja është mbretëria e qiejve.
Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen.
Lum ata që janë të butë, sepse ata do të trashëgojnë dhenë.
Lum ata që kanë uri e etje për drejtësinë, sepse ata do të ngopen.
Lum ata që janë përdëllimtarë, sepse ata do të përdëllehen.
Lum ata që kanë zemër të pastër, sepse ata do të shohin Perëndinë.
Lum ata që bëjnë paqe, sepse ata do të quhen bij Perëndie.
Lum ata që ndiqen për punë drejtësie, sepse e tyrja është mbretëria e qiejve.
Të lumtur jeni ju, kur t’ju poshtërojnë e t’ju përndjekin, e të thonë kundër jush çdo lloj fjale të keqe me gënjeshtra për shkakun tim.
Gëzohuni e gazmohuni, sepse paga juaj është e shumtë në qiej. Sepse kështu përndoqën edhe profetët që kanë qenë përpara jush.
Ju jeni kripa e dheut. Po në u prishtë kripa, me çfarë do të kripet? Për asgjë nuk vlen më, përveçse të hidhet jashtë, dhe të shkelet nga njerëzit.
Ju jeni drita e botës. Një qytet që është mbi mal nuk mund të fshihet.
As nuk ndezin kandilin, që ta vënë atë nën shinik, po e vënë mbi kandilmbajtëse, dhe ndrit mbi të gjithë ata që janë në shtëpi.
Kështu le të ndriçojë drita juaj përpara njerëzve, që të shohin punët tuaja të mira, e të lavdërojnë Atin tuaj që është në qiejt.
Mos kujtoni se erdha të prish ligjin a profetët. Nuk erdha të prish, po të përmbush.
Sepse me të vërtetë po ju them juve, deri sa të shkojë qielli edhe dheu, as një jota a një pikë nuk do të shkojë nga ligji, deri sa të bëhen të gjitha.
Ai pra që të shkelë qoftë edhe një nga këto porositë e vogla, dhe të mësojë kështu njerëzit, i vogël do të quhet në mbretërinë e qiejve; por ai që t’i bëjë e të mësojë të tjerët, ky do të quhet i madh në mbretërinë e qiejve.
Sepse po ju them juve, se në mos teproftë drejtësia juaj më tepër se ajo e shkruesve dhe e Farisenjve, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve.
Keni dëgjuar se u është thënë të vjetërve: “Mos vrit”, dhe ai që të vrasë do të jetë fajtor në gjyq.
Por unë po ju them juve se kushdo që zemërohet më kot kundër vëllait të tij, do të jetë fajtor në gjyq; dhe ai që t’i thotë të vëllait: “Rraka”, do të jetë fajtor në kuvend; dhe ai që t’i thotë: “i marrë”, do të jetë fajtor për në gjehenë të zjarrit.
Në prufsh, pra, dhuratën tënde në therore, dhe atje kujtohesh, se yt vëlla diçka ka kundër teje,
lëre atje dhuratën tënde përpara altarit, dhe shko e pajtohu më parë me tët vëlla, dhe atëherë, si të vish, bjer dhuratën tënde.
Ndrequ shpejt me ndërgjyqësin tënd, deri sa të jesh në udhë bashkë me të; se mos të të japë ndërgjyqësi në dorë të gjyqtarit dhe gjyqtari të jep në dorë të shërbëtorit, e hidhesh në burg.
Me të vërtetë po të them ty: Nuk do të dalësh andej, deri sa të paguash edhe asprën e fundit.
Keni dëgjuar se u është thënë të moçmëve: “Mos shkel kurorën”.
Por unë po ju them juve, se kushdo që vë re grua me dëshirim, e ka shkelur atë në zemër të tij.
Edhe në të skandalizoftë syri yt i djathtë, nxirre atë e hidhe prej teje; sepse është më mirë për ty të humbasë një nga copat e trupit tënd, dhe të mos hidhet tërë trupi yt në gjehenë.
Edhe në të skandalizoftë dora jote e djathtë, preje atë, dhe hidhe prej teje, sepse është më mirë për ty të humbasë një nga copat e trupit tënd, dhe të mos hidhet tërë trupi yt në gjehenë.
Edhe është thënë, se ai që të lërë gruan e tij, le t’i japë asaj letrën e ndarjes.
Por unë po ju them juve, se ai që të lërë gruan e tij, vetëm për fjalë imoraliteti, e bën atë të bëjë imoralitet; dhe ai që të marrë grua të ndarë bën imoralitet.
Përsëri keni dëgjuar se u është thënë të moçmëve: Mos bëj be të rreme, por t’ia japësh Zotit betimet e tua.
Por unë po ju them juve, të mos bëni be fare, as për qiellin, sepse është froni i Perëndisë;
as për dhenë, sepse është vendi që vë këmbët e tij Perëndia; as për Jerusalemin, sepse është qytet i mbretit të madh.
As për kryet tënd të mos bësh be, sepse nuk mund të bësh një qime të bardhë a të zezë.
Por le të jetë fjala juaj, Po, po; Jo, jo; sepse e tepërta e këtyre është nga i ligu.
Keni dëgjuar se është thënë: “Sy në vend të syrit, dhe dhëmb në vend të dhëmbit”.
Por unë po ju them juve, të mos i qëndroni kundër të ligut; por atij që të të bjerë ty një shuplakë në nofullën tënde të djathtë, ktheji atij edhe tjetrën.
Edhe atij që do të gjykohet me ty, e do të marrë këmishën tënde, lëri atij edhe rrobën.
Edhe ai që të të marrë ty angari një milje, ec bashkë me atë dy.
Jepi atij që lyp prej teje; edhe mos e kthe fytyrën mënjanë prej atij që do hua prej teje.
Keni dëgjuar se është thënë: Të duash të afërmin tënd, dhe t’i kesh mëri armikut tënd.
Por unë po ju them juve: Doni armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë juve, bëjuni mirë atyre që ju kanë mëri juve, dhe faluni për ata që ju bëjnë keq e ju ndjekin ju;
që të bëheni bij të Atit tuaj që është në qiejt, sepse ai bën diellin e tij të lindë mbi të ligj e mbi të mirë, dhe lëshon shiun mbi të drejtë e mbi të shtrembër.
Sepse në daçi ata që ju duan, çfarë page keni? A nuk e bëjnë këtë edhe tagrambledhësit?
Edhe në përshëndetshi vetëm vëllezërit tuaj, ç’bëni më tepër? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit?
Bëhuni, pra, ju të përsosur, siç është i përsosur Ati juaj që është në qiejt.
Edhe si lindi Jisui në Betlehem të Judesë, në ditët e mbretit Irod, ja,ca magë nga Lindja erdhën në Jerusalem,
e thoshin: Ku është mbreti i Judenjve që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij nga lindja dhe erdhëm që t’i falemi.
Edhe mbreti Irod kur dëgjoi, u drodh, dhe bashkë me të edhe gjithë Jerusalemi.
Edhe si mblodhi gjithë kryepriftërinjtë dhe shkruesit e popullit, pyeste të merrte vesh prej tyre se ku lind Krishti.
Edhe ata i thanë atij: Në Betlehem të Judesë. Sepse kështu është shkruar me anë të profetit:
“Edhe ti, Betlehem, dheu i Judesë, aspak nuk je më i vogli ndër zotërinjtë e Judesë; sepse prej teje do të dalë një i parë, i cili do të kullosë popullin tim Izrael”.
Atëherë Irodi thirri fshehurazi magët, dhe mori vesh mirë nga ata kohën e yllit që ishte dukur.
Edhe duke i dërguar ata në Betlehem, tha: Shkoni e vëzhgoni mirë për djalin, dhe si ta gjeni, të më lajmëroni, që të vij edhe unë e t’i falem atij.
Edhe ata si dëgjuan mbretin ikën; dhe ja ylli që kishin parë në lindje tek shkonte përpara tyre, deri sa erdhi e qëndroi sipër tek ishte djali.
Edhe ata kur panë yllin, u gëzuan me gëzim fort të madh.
Edhe si erdhën në shtëpi, gjetën djalin bashkë me të ëmën, Marinë, dhe ranë mbi dhe e iu falën atij, dhe si hapën thesaret e tyre, i prunë atij dhurata, ar e temjan e miro.
Edhe si iu tregua atyre nga Perëndia në ëndërr të mos kthehen tek Irodi, shkuan në vendin e tyre nga një tjetër udhë.
Edhe pasi ikën ata, ja një engjëll i Zotit tek i duket në ëndërr Josifit, duke thënë: Ngrihu e merr me vete djalin dhe të ëmën e tij, dhe ik në Egjipt. Dhe rri atje deri kur të të them ty, sepse Irodi do të kërkojë djalin që ta vrasë.
Edhe ai u ngrit, e mori me vete djalin dhe të ëmën e tij natën, dhe iku në Egjipt.
Edhe ndenji atje deri në vdekjen e Irodit, që të përmbushet e thëna prej Zotit me anë të profetit, që thotë: “Nga Egjipti thirra tim bir”.
Atëherë Irodi, kur pa se u gënjye nga magët, u zemërua fort, dhe dërgoi e vrau gjithë djemtë që ishin në Betlehem e nëpër gjithë kufijtë e tij, që nga dy vjeç e poshtë, sipas kohës që kishte marrë vesh mirë nga magët.
Atëherë u përmbush ç’është thënë nga profeti Jeremia, që thotë:
“Zë u dëgjua në Rama, vaj e të qarë e gjëmë shumë. Rakela qante djemtë e saj, dhe nuk donte të ngushëllohej, sepse nuk janë”.
Edhe si vdiq Irodi, ja një engjëll i Zotit tek i duket në ëndërr Josifit në Egjipt
e i thotë: Ngrihu e merr me vete djalin dhe të ëmën e tij, edhe shko në dhe të Izraelit; sepse vdiqën ata që kërkonin jetën e djalit.
Dhe ai u ngrit e mori me vete djalin dhe të ëmën e tij, edhe erdhi në dhe të Izraelit.
Po kur dëgjoi se Arkelau mbretëron në Jude në vend të Irodit, të atit të tij, pati frikë të shkojë atje; dhe siç iu tregua atij nga Perëndia në ëndërr, iku në anët e Galilesë,
dhe erdhi e ndenji në një qytet që quhet Nazaret; që të përmbushet ç’është thënë nga profetët, se Nazaretas do të quhet.
Atëherë Jisui u pru në shkretëtirë prej Shpirtit, që të ngitej prej djallit.
Edhe si agjëroi dyzet ditë e dyzet net, pastaj i erdhi uri.
Edhe ai që nget erdhi tek ai e tha: Në je i biri i Perëndisë, thuaj të bëhen bukë këta gurë.
Po ai u përgjigj e tha: Eshtë shkruar: “Njeriu nuk do të rrojë vetëm me bukë, po me çdo lloj fjale që del nga goja e Perëndisë”.
Atëherë djalli e merr me vete në qytetin e shenjtë, dhe e vuri përmbi fletëzën e tempullit,
edhe i thotë atij: Në je i biri i Perëndisë, hidhu poshtë. Sepse është shkruar: “Se do të urdhërojë engjëjt e tij për ty dhe do të të ngrenë ty mbi duart e tyre, që të mos përpjekësh këmbën tënde mbi gur”.
Jisui i tha atij: Përsëri është shkruar: “Të mos ngasësh Zotin Perëndinë tënd”.
Përsëri djalli e merr me vete mbi një mal shumë të lartë, dhe i tregon gjithë mbretëritë e botës edhe lavdinë e tyre,
e i thotë: Të gjitha këto do të t’i jap ty, nëse bie të më falesh.
Atëherë Jisui i thotë atij: Ik prej meje, Satana. Sepse është shkruar: “Zotit Perëndisë tënd do t’i falesh, dhe vetëm atij do t’i lutesh”.
Atëherë djalli e la atë. Edhe ja engjëjt tek erdhën pranë e i shërbenin.
Edhe Jisui kur dëgjoi se Joanin e dorëzuan, iku në Galile.
Edhe si la Nazaretin, erdhi e ndenji në Kapernaum që është pranë detit, në kufijtë e Zavulonit dhe të Neftalimit,
që të përmbushet ç’është thënë nga profeti Isaia, që thotë:
“Dheu Zavulon edhe dheu Neftalim, në udhën e detit përtej Jordanit, Galilea e kombeve,
populli që rrinte në errësirë pa dritë të madhe, dhe mbi ata që rrinin në vend e në hije vdekjeje lindi dritë”.
Që atëherë Jisui zuri të predikojë e të thotë: Pendohuni, sepse u afrua mbretëria e qiejve.
Edhe tek ecte Jisui pranë detit të Galilesë, pa dy vëllezër, Simonin, që thirrej edhe Pjetër, dhe Andrean, vëllanë e tij, duke hedhur rrjetën në det; sepse ishin peshkatarë.
Edhe u thotë atyre: Ejani pas meje, dhe do t’ju bëj peshkatarë njerëzish.
Edhe ata menjëherë lanë rrjetat, e shkuan pas tij.
Edhe si shkoi më tej, pa dy vëllezër të tjerë, Jakovin, të birin e Zevedheut, dhe Joanin, të vëllain e tij, në lundër bashkë me Zevedheun, të atin e tyre, duke ndrequr rrjetat e tyre, dhe i thirri ata.
Edhe ata përnjëherë lanë lundrën dhe të atin e tyre, dhe shkuan pas tij.
Edhe Jisui vinte përqark gjithë Galilesë, duke mësuar nëpër sinagogat e tyre, dhe duke predikuar ungjillin e mbretërisë, dhe duke shëruar çdo sëmundje e çdo lëngatë në popull.
Edhe shkoi zëri i tij nëpër gjithë Sirinë, dhe sillnin tek ai gjithë ata që kishin keq, të kapur prej sëmundjesh të ndryshme e mundimesh, dhe të demonizuar, e të zënë nga sëmundja e hënës (e tokës), e të paralizuar; edhe i shëroi ata.
Edhe i shkuan pas shumë njerëz nga Galilea e nga Dekapoli e nga Jerusalemi e nga Judea dhe që përtej Jordanit
Shikoni mos bëni lëmoshën tuaj përpara njerëzve, që të shiheni nga ata; në mos, nuk keni pagë pranë Atit tuaj që është në qiejt.
Kur të bësh pra lëmoshën, mos fishkëlle përpara teje, siç bëjnë hipokritët nëpër sinagoga e nëpër udhë, që të lavdërohen nga njerëzit; me të vërtetë po ju them juve, se ata e kanë marrë pagën e tyre.
Por ti, kur të bësh lëmoshën, le të mos e marrë vesh e majta jote se ç’bën e djathta jote;
që të jetë lëmosha jote fshehurazi; dhe Ati yt që sheh fshehurazi, ai do të ta shpërblejë ty haptas.
Edhe kur të falesh, mos ji si hipokritët; sepse ata duan të falen duke ndenjur nëpër sinagogat e nëpër cepat e rrugëve, që t’u duken njerëzve; me të vërtetë po ju them juve se ata e kanë marrë pagën e tyre.
Po ti, kur të falesh, hyr në dhomën tënde, dhe mbyll derën tënde, e falju Atit tënd që është në të fshehtë; dhe Ati yt që sheh fshehurazi, do të ta paguajë ty haptas.
Edhe kur të faleni, mos thoni fjalë të tepërta, si kombet; sepse pandehin se me fjalët e shumta të tyre do të dëgjohen.
Mos u ngjani pra atyre; sepse Ati juaj e di për ç’gjë keni nevojë, para se të lypni ju prej tij.
Po ju faluni kështu: Ati ynë që je në qiejt, u shenjtëroftë emri yt,
ardhtë mbretëria jote, u bëftë dëshira jote, si në qiell, ashtu edhe mbi dhe.
Bukën tonë të përditshme jepna neve sot,
dhe falna fajet tona, sikurse edhe ne ua falim fajtorëve tanë;
dhe mos na shtjer në ngasje, po shpëtona nga i ligu; se jotja është mbretëria dhe fuqia e lavdia në jetë të jetëve. Amin.
Sepse nëse ua falni njerëzve fajet e tyre, do t’jua falë edhe juve Ati juaj qiellori.
Po nëse nuk ua falni njerëzve fajet e tyre, as Ati juaj nuk do të falë fajet tuaja.
Edhe kur të agjëroni, mos u bëni të vrenjtur si hipokritët; sepse ata prishin fytyrat e tyre, që të duken ndër njerëzit se agjërojnë. Me të vërtetë po ju them juve, se ata e kanë marrë pagën e tyre.
Por ti, kur të agjërosh, lyej kryet tënd, dhe laj fytyrën tënde;
që të mos dukesh tek njerëzit se agjëron, por tek Ati yt, që është në të fshehtë; dhe Ati yt që sheh fshehurazi, do të ta shpërblejë ty haptas.
Mos mblidhni thesarë për veten tuaj mbi dhe, ku krimbi dhe ndryshku i prish, dhe ku vjedhësit rrëmojnë dhe vjedhin.
Po mblidhni thesarë për veten tuaj në qiell, ku nuk i prish as krimb as ndryshk, dhe ku vjedhësit nuk rrëmojnë as vjedhin.
Sepse ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj.
Kandili i trupit është syri. Në qoftë pra se syri yt është i kthjellët, gjithë trupi yt do të jetë i ndritshëm.
Po në qoftë se syri yt është i lig, gjithë trupi yt do të jetë i errët. Në qoftë pra se drita që gjendet tek ti është errësirë, sa e madhe do të jetë errësira?
Asnjë s’mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse ose njërit do t’i ketë mëri, dhe tjetrin do ta dojë; ose njërit do t’i ngjitet prapa, dhe tjetrit do t’i kthejë krahët. Nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe Mamonait.
Prandaj po ju them juve: Mos u mendoni për jetën tuaj, ç’të hani a ç’të pini; as për trupin tuaj ç’të vishni. A nuk është jeta më e vlefshme se ushqimi, dhe trupi se të veshurit?
Vështroni shpendët e qiellit, se nuk mbjellin, as nuk korrin, as nuk mbledhin në grunarë, dhe Ati juaj qiellori i ushqen; a nuk ndryshoni ju më tepër se ata?
Po cili nga ju duke pasur kujdes mund të shtojë një kut në shtatin e tij?
Edhe ç’mendoheni për veshjen? Vështroni lulet e arës, si rriten; as mundohen, as endin.
Po ju them juve se as Solomoni me gjithë lavdinë e tij nuk qe veshur ashtu si një nga këto.
Po në qoftë se barin e arës, që sot është e nesër hidhet në furrë, Perëndia e vesh kështu, a nuk do t’ju veshë ju shumë më tepër, o besëpakë?
Mos u mendoni pra duke thënë: ç’të hamë a ç’të pimë a ç’të veshim?
Sepse gjithë këto i kërkojnë kombet; sepse Ati juaj qiellori e di se keni nevojë për gjithë këto.
Po kërkoni më përpara mbretërinë e Perëndisë, dhe drejtësinë e tij; dhe këto të gjitha do t’ju shtohen juve.
Mos u mendoni, pra, për të nesërmen, sepse e nesërmja do të ketë mendim për punët e saj; mjaft është në çdo ditë e keqja e saj.