AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Ungjilli sipas Matheut

Matheu 19

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Matheut

Matheu  19

  1. Edhe Jisui, kur mbaroi këto fjalë, u ngrit nga Galilea, dhe erdhi në kufijtë e Judesë, përtej Jordanit.
  2. Edhe i shkuan pas atij shumë turma; dhe i shëroi ata atje.
  3. Edhe erdhën tek ai Farisenjtë duke e ngacmuar atë e duke i thënë atij: A është e udhës të lërë njeriu gruan e tij për çdo arsye?
  4. Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: A nuk keni lexuar se ai që i bëri ata që në fillim, mashkull e femër i bëri ata dhe tha:
  5. “Për këtë punë njeriu do të lërë të atin e të ëmën, dhe do të ngjitet pas gruas së tij, dhe të dy do të jenë një mish”?
  6. Kaq sa nuk janë më dy, por një mish. Atë pra që Perëndia e bëri çift, njeri le të mos e ndajë.
  7. I thonë atij: Pse pra Moisiu ka porositur t’i japë burri gruas kartën e ndarjes dhe ta lëshojë?
  8. U thotë atyre: Sepse Moisiu prej zemërashpërsisë suaj ju dha leje të lëshoni gratë tuaja; po në fillim s’ka qenë kështu.
  9. Dhe po ju them juve, se ai që lëshon gruan e tij, përveçse për punë imoraliteti, dhe martohet me tjetër, bën imoralitet; dhe ai që martohet me grua të lëshuar, bën imoralitet.
  10. Nxënësit e tij i thonë: Në qoftë kështu puna e njeriut me gruan, nuk është mirë të martohet.
  11. Edhe ai u thotë atyre: Nuk mund ta presin këtë fjalë të gjithë, por ata të cilëve u është dhënë.
  12. Sepse ka eunukë që kanë lindur kështu që nga barku i nënës; dhe ka eunukë që u bënë të tillë nga njerëzit; dhe ka eunukë që e bënë të tillë veten e tyre për mbretërinë e qiejve. Ai që mund ta pranojë këtë le ta pranojë.
  13. Atëherë i sollën atij ca fëmijë të vegjël, që të vinte duart mbi ta e t’i bekonte; dhe nxënësit i qortuan.
  14. Po Jisui tha: Lërini fëmijët e vegjël, dhe mos i ndaloni të vijnë tek unë, sepse e të këtillëve është mbretëria e qiejve.
  15. Edhe si vuri duart mbi ata, iku andej.
  16. Edhe ja tek i erdhi pranë një njeri, e i tha: Mësues i mirë, ç’të mirë të bëj që të kem jetë të pasosur?
  17. Edhe ai i tha: Ç’më thua i mirë? Asnjë s’është i mirë, veç një, Perëndia. Po nëse do të hysh në jetë, ruaj porositë.
  18. I thotë atij: Cilat? Edhe Jisui i tha: “Mos vrit; mos shkel kurorën; mos vidh; mos jep dëshmi të rreme;
  19. ndero atin tënd dhe nënën tënde”; dhe “Të duash të afërmin tënd si veten tënde”.
  20. Djaloshi i thotë atij: Të gjitha këto i kam ruajtur që në rininë time, po ç’më mbetet më?
  21. Jisui i tha atij: Në do të bëhesh i përsosur, shko e shit pasurinë tënde, dhe jepua të varfërve; dhe do të kesh thesar në qiell, dhe eja e ndiqmë pas.
  22. Por djaloshi kur dëgjoi këtë fjalë, iku i helmuar, sepse kishte shumë pasuri.
  23. Edhe Jisui u tha nxënësve të tij: Me të vërtetë po ju them juve, se njeriu i pasur mezi do të hyjë në mbretërinë e qiejve.
  24. Edhe përsëri po ju them juve: Më kollaj është të shkojë gamilja nëpër vrimën e gjilpërës, se të hyjë i pasuri në mbretërinë e Perëndisë.
  25. Edhe nxënësit e tij, kur dëgjuan, tmerroheshin fort e thoshin: Vallë, cili mund të shpëtojë?
  26. Po Jisui hodhi sytë mbi ta e u tha atyre: Për njerëzit kjo është punë që s’mund të bëhet, por për Perëndinë të gjitha janë të mundshme.
  27. Atëherë u përgjigj Pjetri e i tha atij: Ja ne tek i lamë të gjitha, dhe erdhëm pas teje. Vallë, ç’do të jetë për ne?
  28. Edhe Jisui u tha atyre: Me të vërtetë po ju them juve, se ju që më erdhët pas, në krijesën e re, kur të rrijë i Biri i njeriut mbi fronin e lavdisë së tij, do të rrini edhe ju mbi dymbëdhjetë frone duke gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
  29. Edhe kushdo që la shtëpi, a vëllezër, a motra, a atë, a nënë, a grua, a bij, a ara, për hir të emrit tim, do të marrë njëqind për një, dhe do të trashëgojë jetë të pasosur.
  30. Po shumë të parë do të jenë të fundit, dhe të fundit të parë.
 

Matheu 21

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Matheut

Matheu  21

  1. Edhe kur u afruan në Jerusalem, dhe erdhën në Betfagji pranë Malit të Ullinjve, atëherë Jisui dërgoi dy nxënës,
  2. duke u thënë atyre: Shkoni në atë fshat që është përballë jush, dhe menjëherë do të gjeni një gomare të lidhur dhe një pulisht bashkë me të. Zgjidhini e m’i sillni.
  3. Edhe në u thëntë gjë juve ndonjë njeri, t’i thoni se Zoti ka nevojë për atë; dhe menjëherë do t’i dërgojë ata mbrapsht.
  4. Edhe gjithë kjo u bë që të përmbushet ç’është thënë nga profeti,
  5. që thotë: “Thuajini bijës Sionë: Ja mbreti yt tek po të vjen i butë dhe hipur mbi gomare dhe mbi pulisht bir shtaze”.
  6. Edhe nxënësit, si shkuan, dhe bënë siç i urdhëroi ata Jisui, prunë gomaren dhe pulishtin.
  7. Edhe vunë mbi ata rrobat e tyre dhe e hipën atë sipër.
  8. Edhe më e shumta e turmës shtruan rrobat e tyre në udhë; dhe të tjerë këputnin degë pemësh e i shtronin në rrugë.
  9. Edhe turmat që i vinin përpara dhe ata që i vinin prapa bërtitnin, duke thënë: Hosana birit të Davidit. I bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit. Hosana në më të lartat.
  10. Edhe kur ai hyri në Jerusalem, u tund tërë qyteti duke thënë:
  11. Cili është ky? Edhe turmat thoshin: Ky është Jisui, profeti, që është nga Nazareti i Galilesë.
  12. Edhe Jisui hyri në tempullin e Perëndisë dhe nxori jashtë gjithë ata që shisnin e blinin në tempull, dhe përmbysi tryezat e sarafëve dhe fronet e atyre që shisnin pëllumbat.
  13. Edhe u thotë atyre: Eshtë shkruar “Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje”; por ju e bëtë atë “shpellë kusarësh”.
  14. Edhe i erdhën pranë të verbër e të çalë në shenjtërore; dhe i shëroi ata.
  15. Po kryepriftërinjtë dhe shkruesit, kur panë çudirat që bëri, dhe djemtë duke bërtitur në tempull e duke thënë: Hosana birit të Davidit, u zemëruan dhe i thanë atij: Dëgjon se ç’thonë këta?
  16. Edhe Jisui u thotë atyre: Po. Kurrë s’keni lexuar “Se nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave bëre gati lavdërim”?
  17. Edhe si i la ata, doli jashtë qytetit në Betani, dhe e shkoi natën atje.
  18. Edhe në mëngjes kur u kthye në qytet, i erdhi uri.
  19. Edhe kur pa një dru fiku në rrugë, erdhi tek ai, po nuk gjeti gjë në të, veç fletë vetëm. Edhe i thotë: Mos u bëftë më pemë prej teje për gjithë jetën. Edhe druri i fikut menjëherë u tha.
  20. Edhe nxënësit kur panë, u çuditën, e thanë: Si u tha druri i fikut përnjëherë!
  21. Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Me të vërtetë po ju them juve, në paçi besim, dhe të mos jeni me dy mendje, jo vetëm këtë të drurit të fikut keni për të bërë, po dhe këtij mali në i thënçi: Ngrihu dhe bjer në det, do të bëhet.
  22. Edhe gjithë sa të lypni në lutjet, duke pasur besim, do t’i merrni.
  23. Edhe kur erdhi në tempull, erdhën pranë tij atje ku mësonte, kryepriftërinjtë dhe pleqtë e popullit, e thoshin: Me çfarë pushteti i bën këto? Dhe kush ta ka dhënë këtë pushtet?
  24. Dhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Do t’ju pyes edhe unë ju një fjalë, të cilën në ma thënshi, edhe unë do t’ju them juve me çfarë pushteti i bëj këto.
  25. Pagëzimi i Joanit nga ishte? Nga qielli apo nga njerëzit? Dhe ata mendoheshin me veten e tyre, duke thënë: Në thënshim: Nga qielli, do të na thotë: Pse nuk i besuat pra?
  26. Dhe në thënshim: Nga njerëzit, kemi frikë prej turmës, sepse të gjithë e kanë Joanin për profet.
  27. Dhe iu përgjigjën Jisuit, e i thanë: Nuk e dimë. Edhe ai u tha atyre: As unë s’ju them juve me çfarë pushteti i bëj këto.
  28. Edhe si ju duket juve? Një njeri kishte dy bij. Dhe erdhi tek i pari e i tha: Bir, shko sot e puno në vreshtin tim.
  29. Edhe ai u përgjigj e tha: Nuk dua. Po pastaj u pendua dhe shkoi.
  30. Edhe erdhi tek i dyti, e i tha po ashtu. Dhe ai u përgjigj e tha: Unë shkoj, Zot. Dhe nuk shkoi.
  31. Cili nga këta të dy bëri dëshirën e të atit? I thonë: I pari. Jisui u thotë atyre: Me të vërtetë po ju them juve, se tagrambledhësit dhe të përdalat shkojnë më përpara se ju në mbretërinë e Perëndisë.
  32. Sepse Joani erdhi tek ju në udhë drejtësie, dhe nuk i besuat, po tagrambledhësit e të përdalat i besuan. Dhe ju, si patë, nuk u penduat pastaj, që t’i besoni.
  33. Dëgjoni një tjetër paravoli: Një njeri ishte zot shtëpie, i cili mbolli një vresht dhe e thuri me gardh, dhe gërmoi në të një sternë, dhe ndërtoi një pirg; dhe ua dha atë me qira disa bujqve e iku në dhe të huaj.
  34. Edhe kur u afrua koha e pemëve, dërgoi shërbëtorët e tij te bujqit, që të marrin pemët e tij.
  35. Edhe bujqit i zunë shërbëtorët e tij, e njërin e rrahën, e tjetrin e vranë, dhe tjetrin e vranë me gurë.
  36. Përsëri dërgoi të tjerë shërbëtorë, më tepër se të parët, por ashtu ua bënë edhe atyre.
  37. Edhe pastaj dërgoi të birin tek ata, duke thënë: Do të kenë turp nga im bir.
  38. Po bujqit kur panë të birin, i thanë njëri-tjetrit: Ky është trashëgimtari. Ejani ta vrasim dhe të mbajmë trashëgimin e tij.
  39. Edhe si e zunë, e nxorën jashtë vreshtit dhe e vranë.
  40. Kur të vijë i zoti i vreshtit, ç’do t’u bëjë atyre bujqve?
  41. I thonë: Keq e më keq do t’i zhdukë, dhe vreshtin do t’ua japë të tjerë bujqve, të cilët do t’ia japin pemët në kohët e tyre.
  42. Jisui u thotë atyre: Kurrë s’keni lexuar në shkronjat: “Guri që s’e pëlqyen ata që ndërtojnë, ky u bë kreu i qoshes; nga Zoti u bë kjo, dhe është e çuditshme në sytë tanë”?
  43. Prandaj po ju them juve, se mbretëria e Perëndisë do të merret nga ju dhe do t’i jepet një kombi që bën pemët e saj.
  44. Edhe ai që të bjerë mbi këtë gur, do të copëtohet; dhe mbi atë që të bjerë do ta dërrmojë.
  45. Edhe kryepriftërinjtë e Farisenjtë, kur dëgjuan paravolitë e tij, e kuptuan se thotë për ata.
  46. Edhe kërkonin ta zënë, po patën frikë prej turmave, sepse e kishin atë si profet.
 

Matheu 23

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Matheut

Matheu  23

  1. Atëhere Jisui u foli turmave dhe nxënësve të tij,
  2. duke thënë: Shkruesit dhe Farisenjtë ndenjën mbi fronin e Moisiut.
  3. Gjithë sa t’ju thonë pra juve t’i ruani, t’i ruani dhe t’i bëni; por sipas punëve të tyre mos bëni; sepse thonë dhe nuk bëjnë.
  4. Sepse lidhin pesha të rënda që nuk mbahen dhe i vënë mbi kurriz të njerëzve; por me gishtin e tyre nuk duan t’i luajnë.
  5. Edhe gjithë punët e tyre i bëjnë që të duken ndër njerëzit. Dhe zgjerojnë hajmalitë e tyre dhe zmadhojnë cepat e rrobave të tyre.
  6. Edhe duan kreun e mësallës nëpër darkat dhe vendet e para nëpër sinagoga,
  7. edhe përshëndetjet nëpër tregje, dhe të quhen nga njerëzit: Rabi*.
  8. Po ju mos u quani Rabi, sepse një është mësuesi juaj, Krishti, dhe të gjithë ju jeni vëllezër.
  9. Edhe mos quani ndonjë atë për ju mbi dhe; sepse një është Ati juaj, ai që është në qiejt.
  10. As mos u quani mësues; sepse një është mësuesi juaj, Krishti.
  11. Po më i madhi prej jush do të jetë shërbëtori juaj.
  12. Edhe kush të lartësojë veten e tij, do të ulet; dhe kush të ulë veten e tij, do të lartësohet.
  13. Po mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, sepse mbyllni mbretërinë e Perëndisë përpara njerëzve; sepse ju nuk hyni dhe as ata që hyjnë nuk i lini të hyjnë.
  14. Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, sepse hani shtëpitë e të vejave, dhe këtë e bëni me shkak se bëni falje të gjata; prandaj do të merrni më tepër mundim.
  15. Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, se shëtitni detin dhe tokën për të bërë një prozelit; dhe si të bëhet prozelit, e bëni atë bir gjehene dy herë më tepër se veten tuaj.
  16. Mjerë ju udhëheqës të verbër, që thoni: Kush të betohet për tempullin, nuk është gjë; po kush të betohet për arin e tempullit, ka detyrim.
  17. Të marrë dhe të verbër! Sepse cili është më i madh, ari apo tempulli që shenjtëron arin?
  18. Edhe: Kush të betohet për altarin, nuk është gjë; po kush të bëjë be për dhuratën që është mbi të, ka detyrim.
  19. Të marrë edhe të verbër! Sepse cila është më e madhe, dhurata apo altari që shenjtëron dhuratën?
  20. Ai pra që betohet për altarin, betohet për atë dhe për gjithë ato që janë përmbi të.
  21. Edhe ai që betohet për tempullin, betohet për atë që rri në të.
  22. Edhe ai që betohet për qiellin, betohet për fronin e Perëndisë, dhe për atë që rri mbi të.
  23. Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, sepse jepni të dhjetën e mendrës e të marajt e të barit të gjumit; dhe keni lënë më të rëndësishmet e ligjit, gjyqin dhe përdëllimin dhe besimin. Këto duhet t’i bëni, dhe ato të mos i lini.
  24. Udhëheqës të verbër, që shtrydhni mushkonjën, dhe gamilen e përpini.
  25. Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, sepse pastroni anën e jashtme të gotës dhe të kupës, po përbrenda janë plot me rrëmbime e pa vetëpërmbajtje.
  26. Farise i verbër, pastro më përpara atë që është brenda në gotë dhe në kupë, që të bëhet e pastër edhe ana e jashtme e tyre.
  27. Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, sepse ngjani me varre të lyer me gëlqere, të cilët nga jashtë duken të bukur, po përbrenda janë plot me eshtra të vdekurish e çdo lloj ndyrësie.
  28. Kështu edhe ju, nga jashtë dukeni të drejtë tek njerëzit, po përbrenda jeni plot me hipokrizi e me paligjësi.
  29. Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, sepse ndërtoni varret e profetëve dhe stolisni përmendoret e të drejtëve.
  30. Edhe thoni: Po të ishim ne në ditët e etërve tanë, nuk do të ishim pjesëtarë me ata në gjakun e profetëve.
  31. Kështu pra dëshmoni për veten tuaj se jeni të bijtë e atyre që vranë profetët.
  32. Mbushni edhe ju masën e etërve tuaj.
  33. Gjarpërinj, pjellë nepërkash, si do të ikni nga dënimi i gjehenës?
  34. Prandaj, ja unë tek do të dërgoj tek ju profetë dhe të ditur dhe shkrues; dhe disa nga ata do t’i vrisni e do t’i kryqëzoni, dhe disa nga ata do t’i rrihni nëpër sinagogat tuaja dhe do t’i ndiqni prej qyteti në qytet,
  35. që të vijë mbi ju çdo gjak i drejtë që është derdhur mbi dhe, që nga gjaku i Abelit të drejtë e deri në gjakun e Zaharisë, të birit të Varahiut, të cilin e vratë në mes të tempullit e të altarit.
  36. Me të vërtetë po ju them juve: Të gjitha këto do të vijnë mbi këtë brez.
  37. Jerusalem, Jerusalem, që vret profetët, dhe rreh me gurë ata që janë dërguar tek ti, sa herë desha të mbledh bijtë e tu, siç mbledh pula zogjtë e saj nën krahë, por nuk deshët?
  38. Ja shtëpia juaj tek po ju lihet e shkretë.
  39. Sepse po ju them juve: Nuk do të më shihni pastaj, deri sa të thoni: I bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit.

 

* Mësues

 

Matheu 20

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Matheut

Matheu  20

  1. Sepse mbretëria e qiejve ngjan me një njeri zot shtëpie, i cili doli që me natë të pajtojë punëtorë për vreshtin e tij.
  2. Edhe si pajtoi punëtorët nga një dinar në ditë, i dërgoi në vreshtin e tij.
  3. Pastaj doli rreth orës së tretë, dhe pa të tjerë duke ndenjur në treg pa punë.
  4. U thotë edhe atyre: Shkoni dhe ju në vresht, dhe do t’ju jap ç’të jetë e udhës. Edhe ata shkuan.
  5. Përsëri doli rreth orës së gjashtë e të nëntë, dhe bëri po ashtu.
  6. Edhe si doli rreth orës së njëmbëdhjetëtë, gjeti të tjerë duke ndenjur pa punë. U thotë edhe atyre: Pse rrini këtu tërë ditën pa punë?
  7. I thonë atij: Sepse asnjë s’na pajtoi. U thotë atyre: Shkoni edhe ju në vresht, dhe do të merrni ç’të jetë e udhës.
  8. Edhe si u ngrys, i zoti i vreshtit i thotë kujdestarit të tij: Thirr punëtorët, dhe laju pagën atyre, duke nisur nga të fundit deri tek të parët.
  9. Edhe erdhën ata që ishin pajtuar rreth orës së njëmbëdhjetë, dhe morën nga një dinar.
  10. Edhe kur erdhën të parët, pandehën se do të marrin më shumë; po edhe ata morën nga një dinar.
  11. Edhe si i morën, qaheshin kundër të zotit të shtëpisë, duke thënë:
  12. Se këta të fundit bënë një orë, dhe i bëre të barabartë me ne që mbajtëm peshën e ditës dhe vapën.
  13. Po ai u përgjigj e i tha njërit nga ata: Mik, nuk të bëj keq. A nuk bëre fjalë me mua për një dinar?
  14. Merr tëndin dhe ik. Dhe këtij të fundit do t’i jap si edhe ty.
  15. Apo s’mundem unë të bëj ç’të dua në punën time? Apo syri yt është i lig, sepse unë jam i mirë?
  16. Kështu do të jenë të fundit të parë, dhe të parët të fundit. Sepse shumë veta janë të thirrur, por pak të zgjedhur.
  17. Edhe Jisui, duke u ngjitur në Jerusalem, mori me vete të dymbëdhjetë nxënësit mënjanë në udhë, dhe u tha atyre:
  18. Ja tek po ngjitemi në Jerusalem, dhe i Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve e shkruesve; dhe do ta dënojnë me vdekje;
  19. edhe do t’ia dorëzojnë kombeve që ta përqeshin e ta rrahin e ta kryqëzojnë; dhe të tretën ditë do të ngjallet.
  20. Atëherë i erdhi pranë e ëma e të bijve të Zevedheut bashkë me të bijtë, duke u lutur e duke lypur një gjë nga ai.
  21. Edhe ai i tha asaj: Ç’do? Ajo i thotë atij: Thuaj të rrinë këta të dy bijtë e mi, njëri në të djathtën tënde e njëri në të majtën, në mbretërinë tënde.
  22. Po Jisui u përgjigj e tha: Nuk dini se ç’lypni. A mund të pini kupën, që do të pi unë, dhe të pagëzoheni me pagëzimin që do të pagëzohem unë? Ata i thonë atij: Mundemi.
  23. Edhe ai u thotë atyre: Kupën time do ta pini, dhe me pagëzimin që pagëzohem unë do të pagëzoheni; por të rrini në të djathtën time dhe në të majtën time, nuk është në dorën time ta jap, por do t’u jepet atyre që u është bërë gati nga Ati im.
  24. Edhe të dhjetët, kur dëgjuan, u zemëruan për të dy vëllezërit.
  25. Po Jisui i thirri ata e tha: E dini se të parët e kombeve kanë pushtet mbi ata, dhe të mëdhenjtë i urdhërojnë ata.
  26. Po kështu nuk do të jetë ndër ju; po kush të dojë të bëhet i madh ndër ju, le të jetë shërbëtori juaj.
  27. Edhe kush të dojë të jetë i parë ndër ju, le të jetë shërbëtori juaj,
  28. ashtu si i Biri i njeriut nuk erdhi që të shërbehet, po që të shërbejë, dhe të japë jetën e tij si shpërblim për shumë veta.
  29. Edhe ndërsa ata po dilnin nga Jerikoja, i shkuan pas atij shumë njerëz.
  30. Edhe ja, dy të verbër, që rrinin në rrugë, kur dëgjuan se po shkonte Jisui, bërtitën, duke thënë: Përdëllena, o Zot, bir i Davidit.
  31. Edhe turma i qortoi ata, që të pushonin; po ata bërtitnin më fort, duke thënë: Përdëllena, o Zot, bir i Davidit.
  32. Edhe Jisui qëndroi e i thirri ata, dhe tha: ç’doni t’ju bëj juve?
  33. I thonë: Zot, të na hapen sytë.
  34. Edhe Jisui, si iu dhimbs për ta, preku sytë e tyre; dhe menjëherë u hapën sytë e tyre, dhe shkuan pas atij.
 

Matheu 22

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Matheut

Matheu  22

  1. Edhe Jisui u përgjigj përsëri e u tha atyre me paravolira, duke thënë:
  2. Mbretëria e qiejve ngjan me një njeri mbret, i cili bëri dasmë për të birin e tij.
  3. Edhe dërgoi shërbëtorët e tij të thërresin ata që qenë ftuar në dasmë, por nuk deshën të vijnë. Përsëri dërgoi të tjerë shërbëtorë,
  4. duke thënë: Thuajuni atyre që janë ftuar: Ja tek bëra gati drekën time. Demat e mi dhe berrat e ushqyer janë gati; ejani në dasmë.
  5. Po ata përtuan e shkuan, njëri në arën e tij e tjetri në tregtinë e tij.
  6. Edhe të tjerët zunë shërbëtorët e atij e i shanë e i vranë.
  7. Po mbreti kur dëgjoi u zemërua dhe dërgoi ushtritë e tij dhe i shfarosi ata gjaksorët, dhe dogji qytetin e tyre.
  8. Atëherë u thotë shërbëtorëve të tij: Dasma është gati, po ata që qenë të ftuar nuk ishin të denjë.
  9. Shkoni pra nëpër daljet e udhëve, dhe sa të gjeni, t’i ftoni në dasmë.
  10. Edhe ata shërbëtorët dolën nëpër rrugë e mblodhën gjithë sa gjetën, të ligj e të mirë; dhe dasma u mbush me njerëz që rrinin në mësallë.
  11. Dhe mbreti kur hyri të shohë ata që rrinin në mësallë, pa atje një njeri që s’kishte veshur rrobë dasme.
  12. Edhe i thotë atij: Mik, si hyre këtu pa pasur rrobë dasme? Po ai mbylli gojën.
  13. Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: Lidheni atë prej këmbësh e prej duarsh dhe ngrijeni, dhe hidheni në errësirën e jashtme; atje do të jetë të qarët dhe kërcëllitja e dhëmbëve.
  14. Sepse shumë veta janë të thirrur, por pak të zgjedhur.
  15. Atëherë Farisenjtë shkuan e bënë këshillë, si ta zënë në lak me fjalë.
  16. Edhe dërgojnë tek ai nxënësit e tyre bashkë me Irodianët, duke thënë: Mësues, e dimë se je i vërtetë dhe mëson udhën e Perëndisë me të vërtetë dhe nuk do të dish për asgjë; sepse nuk shikon në faqe njerëzish.
  17. Thuajna pra: Ç’të duket? Eshtë e udhës t’i japim taksë Qezarit, apo jo?
  18. Po Jisui, si njohu djallëzinë e tyre, tha: ç’më ngisni, hipokritë?
  19. Tregomëni monedhën e pagesës.
  20. Edhe ata i prunë një dinar. Edhe ai u thotë atyre: E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?
  21. Ata i thonë: E Qezarit. Atëherë u thotë atyre: Jepini pra Qezarit ç’janë të Qezarit dhe Perëndisë ç’janë të Perëndisë.
  22. Edhe ata, kur dëgjuan, u çuditën, dhe e lanë atë e ikën.
  23. Në atë ditë i erdhën pranë Saduqenj, të cilët thonë se nuk ka ngjallje; dhe e pyetën,
  24. duke thënë: Mësues, Moisiu tha: “Në vdektë ndonjë pa pasur bij, i vëllai do të martohet me gruan e tij”, dhe do t’i ngjallë farë të vëllait të tij.
  25. Edhe ishin tek ne shtatë vëllezër. Dhe i pari, si u martua, vdiq; dhe pasi nuk kishte bir, ia la gruan e tij të vëllait të tij.
  26. Kështu dhe i dyti, dhe i treti, deri në të shtatin.
  27. Edhe më pas nga të gjithë vdiq edhe gruaja.
  28. Në ngjallje pra, gruaja e kujt do të jetë nga këta të shtatë? Sepse të gjithë e patën marrë atë.
  29. Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Jeni të gënjyer, se nuk dini shkronjat, as fuqinë e Perëndisë.
  30. Sepse në ngjallje as martohen, as martojnë, por janë si engjëj të Perëndisë në qiell.
  31. Edhe për ngjalljen e të vdekurve a s’keni lexuar ç’ju është thënë juve prej Perëndisë, kur thotë:
  32. “Unë jam Perëndia i Abrahamit dhe Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakovit”? Perëndia nuk është Perëndi të vdekurish, por të gjallësh.
  33. Dhe turmat kur dëgjuan, tmerroheshin për mësimin e tij.
  34. Por Farisenjtë kur dëgjuan se u mbylli gojën Saduqenjve, u mblodhën bashkë.
  35. Edhe një mësues ligji nga ata e pyeti duke e ngacmuar atë,
  36. e duke thënë: Mësues, cila porosi është e madhe në ligj?
  37. Edhe Jisui i tha atij: “Të duash Zotin Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, dhe me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde”.
  38. Kjo është porosi e parë dhe e madhe.
  39. Edhe e dyta që është e barabartë me të është: “Të duash të afërmin tënd si veten tënde”.
  40. Gjithë ligji dhe profetët varen nga këto dy porosi.
  41. Edhe ndërsa ishin mbledhur Farisenjtë, Jisui i pyeti,
  42. duke thënë: Ç’mendoni ju për Krishtin? I biri i kujt është? I thonë: I Davidit.
  43. U thotë atyre: Si pra Davidi me Shpirt e quan atë Zot,
  44. duke thënë “I tha Zoti Zotit tim: Rri në të djathtën time deri sa të vë armiqtë e tu nënkëmbje të këmbëve të tua”?
  45. Në qoftë pra se Davidi e quan Zot, si është i biri i atij?
  46. Dhe asnjë nuk mundej t’i përgjigjej ndonjë fjalë; as nuk guxoi ndonjë që atë ditë ta pyesë më.
 

Matheu 24

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Matheut

Matheu  24

  1. Edhe Jisui doli e iku nga tempulli; dhe nxënësit e tij i erdhën pranë që t’i tregojnë ndërtesat e tempullit.
  2. Po Jisui u tha atyre: A nuk i shihni gjithë këto? Me të vërtetë po ju them juve se nuk do të mbetet këtu gur mbi gur që të mos rrëzohet.
  3. Edhe ndërsa ai ishte duke ndenjur mbi Malin e Ullinjve, nxënësit iu afruan mënjanë, duke thënë: Thuajna, kur do të bëhen këto? Edhe cila është shenja e ardhjes tënde dhe e mbarimit të jetës?
  4. Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Shikoni se mos ju gënjen ju ndonjë.
  5. Sepse shumë veta do të vijnë në emrin tim, duke thënë: Unë jam Krishti, dhe do të gënjejnë shumë veta.
  6. Edhe do të dëgjoni luftëra e zëra luftërash. Shikoni, mos u turbulloni, sepse të gjitha këto duhet të bëhen; por fundi ende nuk është.
  7. Sepse do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie; dhe do të ketë zira e murtaja, dhe tërmete në vende të ndryshme.
  8. Por të gjitha këto janë fillimi i dhimbjeve.
  9. Atëherë do t’ju dorëzojnë juve për shtrëngim dhe do t’ju vrasin; dhe do t’ju kenë mëri gjithë kombet për emrin tim.
  10. Edhe atëherë do të skandalizohen shumë veta, dhe do të tradhtojnë njëri-tjetrin, dhe do t’i kenë mëri njëri-tjetrit.
  11. Edhe shumë profetë të rremë do të ngrihen dhe do të gënjejnë shumë veta;
  12. Edhe pasi të shumohet paligjshmëria, dashuria e të shumtëve do të ftohet.
  13. Po kush të durojë deri në fund, ky do të shpëtojë.
  14. Edhe ky ungjill i mbretërisë do të predikohet nëpër gjithë botën, për dëshmi mbi gjithë kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.
  15. Kur të shihni pra “ndyrësinë e shkretimit”, që është thënë nga profeti Daniel, duke ndenjur në vend të shenjtë, - ai që lexon le ta kuptojë -.
  16. Atëherë ata që janë në Jude le të ikin nëpër male.
  17. Kush të gjendet mbi kulm, le të mos zbresë që të marrë gjë nga shtëpia e tij.
  18. Edhe kush të gjendet në arë, le të mos kthehet prapa që të marrë rrobat e tij.
  19. Edhe mjerë ato që janë shtatzëna dhe ato që kanë foshnja në gji në ato ditë.
  20. Edhe faluni që të mos bëhet ikja juaj në dimër, as të shtunën.
  21. Sepse atëherë do të jetë shtrëngim i madh, i atillë që nuk është bërë që në fillim të botës e deri tani, as nuk do të bëhet.
  22. Edhe po të mos shkurtoheshin ato ditë, nuk do të shpëtonte asnjë trup; po ato ditë do të shkurtohen për të zgjedhurit.
  23. Atëherë në ju thëntë juve ndonjëri: Ja tek është këtu Krishti, apo aty, mos besoni.
  24. Sepse do të ngrihen krishtër të rremë dhe profetë të rremë, dhe do të bëjnë shenja të mëdha dhe çudira, kaq sa do të gënjejnë edhe të zgjedhurit, në mundshin.
  25. Ja tek jua thashë juve më përpara.
  26. Në ju thënshin pra juve: Ja tek është në shkretëtirë, mos dilni. Ja në dhomat, mos besoni.
  27. Sepse siç del vetëtima nga lind dielli dhe duket deri tek perëndon, kështu do të jetë edhe ardhja e birit të njeriut.
  28. Sepse ku të jetë kërma, atje do të mblidhen shqiponjat.
  29. Edhe menjëherë pas shtrëngimit të atyre ditëve, dielli do të erret dhe hëna nuk do të japë ndriçimin e saj; dhe yjet do të bien nga qielli, dhe fuqitë e qiejve do të tunden.
  30. Edhe atëherë do të duket shenja e Birit të njeriut në qiell; dhe atëherë do të bëjnë vajtim gjithë fiset e dheut, dhe do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi e me lavdi shumë.
  31. Edhe do të dërgojë engjëjt e tij me trumbetë që nxjerr zë të madh, dhe do të mbledhin të zgjedhurit e tij nga të katër erërat (anët e horizontit), prej fundit të anëve të qiejve e deri në fund të anëve të tyre.
  32. Edhe nga druri i fikut mësoni paravolinë: Kur bëhet tashmë dega e tij e butë dhe nxjerr gjethet, e dini se vera është afër.
  33. Kështu edhe ju kur të shihni gjithë këto, ta dini se është afër ndër dyer.
  34. Me të vërtetë po ju them juve, ky brez nuk do të shkojë, deri sa të bëhen të gjitha këto.
  35. Qielli edhe dheu do të shkojnë, po fjalët e mia nuk do të shkojnë.
  36. Edhe për atë ditë e për atë orë, asnjë nuk di gjë, as engjëjt e qiejve, veç Ati im vetëm.
  37. Edhe siç ishin ditët e Noes, kështu do të jetë edhe ardhja e Birit të njeriut.
  38. Sepse siç ishin njerëzit në ato ditë përpara përmbytjes, që hanin e pinin, martoheshin e martonin, deri në atë ditë që hyri Noeja në arkë,
  39. edhe nuk e kuptuan deri sa erdhi përmbytja dhe i ngriti të gjithë; kështu do të jetë edhe ardhja e Birit të njeriut.
  40. Atëherë dy veta do të jenë në arë; njëri merret e tjetri lihet.
  41. Dy gra do të bluajnë në mulli; njëra merret e tjetra lihet.
  42. Rrini zgjuar pra, sepse nuk dini në ç’orë vjen Zoti juaj.
  43. Po këtë e dini, se ta dinte i zoti i shtëpisë, në ç’kohë të natës vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuar, dhe nuk do të linte të shpohej shtëpia e tij.
  44. Prandaj edhe ju bëhuni gati, sepse Biri i njeriut vjen në atë orë që nuk jua pret mendja juve.
  45. Vallë, cili është ai shërbëtor besnik dhe i mençur, të cilin i zoti e vuri mbi punëtorët e tij, që t’u japë atyre ushqimin në kohë?
  46. Lum ai shërbëtor, të cilin, kur të vijë i zoti, ta gjejë duke bërë kështu.
  47. Me të vërtetë po ju them juve, se do ta vërë atë kujdestar mbi gjithë pasurinë e tij.
  48. Edhe ai shërbëtori i lig, në thëntë në zemrën e tij: Im zot vonon të vijë;
  49. edhe të zërë të rrahë shokët e tij shërbëtorë dhe të hajë e të pijë bashkë me ata që dehen,
  50. i zoti i atij shërbëtori do të vijë në atë ditë që ai nuk e pret dhe në atë orë që nuk e di;
  51. edhe do ta ndajë mënjanë dhe do ta vërë pjesën e atij bashkë me hipokritët; atje do të jetë të qarët dhe kërcëllitja e dhëmbëve.
 
Ma artikuj...