AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Ungjilli sipas Markut

Marku 13

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Markut

Marku  13

  1. Edhe ndërsa po dilte nga tempulli, i thotë një nga nxënësit e tij: Mësues, shiko çfarë gurësh e çfarë ndërtesash!
  2. Edhe Jisui u përgjigj, e i tha: I sheh këto ndërtesa të mëdha? Nuk do të mbesë gur mbi gur që të mos rrëzohet.
  3. Edhe ndërsa po rrinte në Malin e Ullinjve, përballë tempullit, e pyetnin atë veçan Pjetri dhe Jakovi dhe Joani dhe Andrea:
  4. Thuajna, kur do të bëhen këto, dhe ç’shenjë do të jetë, kur do të mbarohen këto të gjitha?
  5. Edhe Jisui, duke u përgjigjur, zuri t’u thotë atyre: Vini re, se mos ju gënjejë ndonjë ju.
  6. Sepse shumë veta do të vijnë në emrin tim, duke thënë se unë jam; dhe do të gënjejnë shumë veta.
  7. Edhe kur të dëgjoni luftra, dhe zëra luftrash, mos u frikësoni; sepse duhet të bëhen këto, po ende nuk është fundi.
  8. Sepse do të ngrihet komb kundër kombi, dhe mbretëri kundër mbretërie; dhe do të bëhen tërmete në vende të ndryshme, dhe do të bëhen zira e trazira. Këto janë fillimet e dhembjeve.
  9. Po ju vështroni veten tuaj, sepse do t’ju dorëzojnë ju nëpër kuvende, e nëpër sinagoga do të rriheni, dhe përpara qeveritarëve e mbretërve do të rrini për shkakun tim, për dëshmi mbi ata.
  10. Edhe duhet të predikohet Ungjilli më përpara nëpër gjithë kombet.
  11. Edhe kur t’ju çojnë që t’ju dorëzojnë ju, mos u kujdesni që më parë, se ç’do të flisni, as mos u mendoni; po ç’t’ju jepet juve në atë kohë, këtë flisni; sepse s’jeni ju ata që flisni, po Shpirti i Shenjtë.
  12. Edhe vëllai do të dorëzojë të vëllanë për vdekje, dhe i ati të birin; dhe djemtë do të ngrenë krye kundër prindërve dhe do t’i vrasin.
  13. Edhe të gjithë do t’ju kenë mëri për emrin tim; po kush të durojë deri në fund, ky do të shpëtojë.
  14. Edhe kur të shihni ndyrësinë e shkretimit, që është thënë nga profeti Daniel, të rrijë atje ku nuk duhet, - ai që lexon le të kuptojë, - atëherë ata që të jenë në Jude, le të ikin nëpër male.
  15. Edhe ai që të jetë mbi kulm të shtëpisë, le të mos zbresë në shtëpi, as le të mos hyjë të marrë gjë nga shtëpia e tij.
  16. Edhe ai që të jetë në arë, le të mos kthehet prapa që të marrë rrobën e tij.
  17. Po mjerë ato që janë shtatzëna dhe ato që kanë foshnjë në gji në ato ditë.
  18. Edhe faluni që të mos bëhet ikja juaj në dimër.
  19. Sepse në ato ditë do të jetë i këtillë shtrëngim, që i tillë nuk është bërë që në fillim të krijimit, që krijoi Perëndia, e deri tani, dhe as do të bëhet.
  20. Edhe të mos i kishte shkurtuar Zoti ato ditë, s’kishte për të shpëtuar asnjë mish; po për të zgjedhurit që i ka zgjedhur i shkurtoi ditët.
  21. Edhe atëherë në u thëntë juve ndonjë: Ja këtu është Krishti; ose: Ja, atje, mos besoni.
  22. Sepse do të ngrihen krishtër të rremë e profetë të rremë, dhe do të bëjnë shenja e çudira, që të gënjejnë, në mundet, edhe të zgjedhurit.
  23. Por ju vini re; ja tek jua thashë juve të gjitha që përpara.
  24. Po në ato ditë, pas atij shtrëngimi, dielli do të erret, dhe hëna nuk do të japë dritën e saj,
  25. dhe yjet e qiellit do të bien, dhe fuqitë që janë në qiejt do të tunden.
  26. Edhe atëherë do të shohin të Birin e njeriut duke ardhur ndër re me fuqi shumë e me lavdi.
  27. Edhe atëherë ai do të dërgojë engjëjt e tij, dhe do të mbledhë të zgjedhurit e tij nga të katër erërat (anët e horizontit), prej këndit të dheut e deri në kënd të qiellit.
  28. Edhe prej drurit të fikut merrni vesh paravolinë: kur dega e tij bëhet e butë dhe nxjerr fletët, e dini se vera është afër.
  29. Kështu edhe ju, kur të shihni këto se bëhen, dijeni se është afër, në dyer.
  30. Me të vërtetë po ju them juve, se ky brez nuk do të shkojë deri sa të bëhen këto të gjitha.
  31. Qielli edhe dheu do të shkojnë, po fjalët e mia nuk do të shkojnë.
  32. Edhe për atë ditë a orë asnjë nuk di, as engjëjt që janë në qiell, as Biri, veç Ati.
  33. Vini re, rrini zgjuar dhe faluni, sepse nuk e dini kur është koha.
  34. Sepse kjo do të jetë si një njeri i ikur, i cili la shtëpinë e tij, dhe ua dha pushtetin shërbëtorëve të tij, dhe secilit punën e tij, dhe portierin e porositi të rrijë zgjuar.
  35. Rrini zgjuar pra, - sepse s’e dini kur vjen i zoti i shtëpisë, në të ngrysur, a në mes të natës, a në këndim të kokoshit, a në mëngjes; -
  36. Se mos vijë papandehur e t’ju gjejë duke fjetur.
  37. Edhe ato që po ju them juve, ua them të gjithëve: Rrini zgjuar.
 

Marku 14

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Markut

Marku  14

  1. Edhe pas dy ditësh ishte pashka dhe të pabrumëtat; dhe kryepriftërinjtë e shkruesit kërkonin, si ta kapin me mashtrim dhe ta vrasin.
  2. Edhe thoshin: Jo të kremten, se mos bëhet trazirë nga populli.
  3. Edhe ndërsa ai ishte në Betani, në shtëpinë e Simon lebrozit, duke ndenjur në tryezë, erdhi një grua që kishte një alabastër me vaj ere prej nardi të thjeshtë e shumë të shtrenjtë; dhe si e theu alabastrin, e derdhi vajin mbi kryet e tij.
  4. Edhe ishin ca veta që zemëroheshin në veten e tyre e thoshin: Pse të humbasë ky vaj ere?
  5. Sepse ky mund të shitej mbi treqind dinarë dhe t’u jepeshin të varfërve; edhe zemëroheshin kundër saj.
  6. Po Jisui tha: Lëreni; pse e mundoni? Punë të mirë bën për mua.
  7. Sepse të varfërit i keni gjithnjë me veten tuaj, dhe kur të doni, mund t’u bëni mirë atyre; po mua nuk më keni gjithnjë.
  8. Atë që mundi, ajo e bëri; arriti që përpara të lyejë me vaj ere trupin tim për varrimin tim.
  9. Me të vërtetë po ju them juve: Kudo që të predikohet ky ungjill në gjithë botën, edhe ç’ bëri kjo do të flitet për kujtim të saj.
  10. Edhe Juda Iskarioti, një nga të dymbëdhjetët, shkoi te kryepriftërinjtë që t’ua dorëzojë atë atyre.
  11. Edhe ata kur dëgjuan, u gëzuan; dhe iu zotuan t’i japin argjende. Edhe ai kërkonte sesi në kohën e duhur ta tradhtojë atë.
  12. Edhe të parën ditë të të pabrumëtave, kur bënin theror pashkën, nxënësit e tij i thonë: Ku do të shkojmë e të bëjmë gati që të hash pashkën?
  13. Edhe ai dërgon dy nga nxënësit e tij, dhe u thotë atyre: Shkoni në qytet, dhe do t’ju takojë ju një njeri që mban një shtambë uji; shkoni pas tij,
  14. edhe ku të hyjë ai, thuajini të zotit të shtëpisë se Mësuesi thotë: Ku është vendi ku do të ha pashkën bashkë me nxënësit e mi?
  15. Edhe ai do t’ju tregojë juve lart një dhomë të madhe të shtruar gati; atje bëjeni gati për mua.
  16. Edhe nxënësit e tij dolën dhe erdhën në qytet, dhe gjetën siç u kishte thënë, dhe bënë gati pashkën.
  17. Edhe kur u ngrys, vjen me të dymbëdhjetët.
  18. Edhe ndërsa po rrinin në tryezë e po hanin, Jisui tha: Me të vërtetë po ju them juve se një prej jush do të më tradhtojë, ai që ha bashkë me mua.
  19. Edhe atyre zuri t’u vijë keq, dhe t’i thonë një nga një: Mos jam unë? Edhe tjetri: Mos jam unë?
  20. Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Një nga të dymbëdhjetët, ai që lyen bashkë me mua në kupë.
  21. I Biri i njeriut shkon, siç është shkruar për të, po mjerë për atë njeri, me anë të të cilit tradhtohet; mirë do të ishte për atë njeri të mos kishte lindur.
  22. Edhe ndërsa po hanin, Jisui mori bukë, dhe si e bekoi, e theu, dhe ua dha atyre, dhe tha: Merrni hani. Ky është trupi im.
  23. Edhe mori kupën, dhe si falënderoi, ua dha atyre,
  24. Ky është gjaku im, ai i dhiatës së re, që derdhet për shumë veta.
  25. Me të vërtetë po ju them juve se nuk do të pi më nga pema e hardhisë deri në atë ditë kur do ta pi të re në mbretërinë e Perëndisë.
  26. Edhe si psalën, dolën në Malin e Ullinjve.
  27. Edhe Jisui u thotë atyre se të gjithë do të skandalizoheni për mua këtë natë; sepse është shkruar: “Do të godas bariun dhe dhentë do të shpërndahen”.
  28. Por pasi të ngjallem, do të shkoj më përpara se ju në Galile.
  29. Po Pjetri i tha: Edhe në u skandalizofshin të gjithë, por unë jo.
  30. Edhe Jisui u thotë atyre: Me të vërtetë po të them se sot, këtë natë, para se të këndojë këndezi dy herë, tri herë do të më mohosh.
  31. Po ai edhe më tepër thoshte se në u dashtë të vdes unë bashkë me ty, nuk do të të mohoj. Po ashtu thoshin edhe të gjithë të tjerët.
  32. Pastaj vijnë në një vend që quhet Gjethsimani; dhe u thotë nxënësve të tij: Rrini këtu deri sa të falem.
  33. Edhe merr me vete Pjetrin dhe Jakovin dhe Joanin, dhe zuri të frikësohet e t’i vijë rëndë.
  34. Edhe u thotë atyre: Shpirti im është i hidhëruar deri në vdekje; qëndroni këtu, dhe rrini zgjuar.
  35. Edhe ai, si shkoi pak përpara, ra përdhe, dhe falej që, në qoftë se është e mundur, të shkojë prej atij kjo orë.
  36. Edhe thoshte: Ava, o Atë, të gjitha janë të mundura për ty; largoje prej meje këtë kupë; por le të bëhet jo ç’dua unë, por ç’do ti.
  37. Edhe vjen e i gjen ata duke fjetur; dhe i thotë Pjetrit: Simon, po fle? S’munde një orë të rrish zgjuar?
  38. Rrini zgjuar dhe faluni, që të mos hyni në ngasje. Sepse shpirti është gati, por mishi është i dobët.
  39. Edhe përsëri shkoi e u fal duke thënë po atë fjalë.
  40. Edhe kur u kthye i gjeti ata përsëri duke fjetur; sepse sytë e tyre ishin rënduar, dhe nuk dinin ç’t’i përgjigjen atij.
  41. Pastaj vjen të tretën herë, e u thotë atyre: Flini pra, dhe prehuni; mjaft; erdhi ora. Ja i Biri i njeriut tek u dorëzohet fajtorëve.
  42. Zgjohuni, le të shkojmë. Ja ai që më tradhton tek u afrua.
  43. Edhe përnjëherë, ndërsa ai ishte ende duke folur, vjen Juda, që ishte një nga të dymbëdhjetët, dhe bashkë me të një turmë e madhe me thika e me dru, nga ana e kryepriftërinjve dhe e shkruesve dhe e pleqve.
  44. Edhe ai që e tradhton u kishte dhënë atyre shenjë, duke thënë: Ai që të puth unë, ai është. Kapeni dhe çojeni duke e siguruar.
  45. Edhe kur erdhi, përnjëherë u afrua tek ai e i thotë: Rabi, Rabi. Edhe e puthi.
  46. Edhe ata vunë duart e tyre mbi të, dhe e zunë.
  47. Edhe një nga ata që rrinin atje hoqi thikën e i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe i preu veshin.
  48. Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Si mbi një kusar keni dalë me thika e me dru të më zini?
  49. Përditë kam qenë ndër ju në tempull duke ju mësuar, dhe nuk më zutë; po kjo u bë që të përmbushen shkrimet.
  50. Edhe të gjithë e lanë e ikën.
  51. Edhe njëfarë djaloshi i vinte prapa duke qenë i mbështjellë mbi lakuriqësinë e tij me një pëlhurë; dhe djemtë e kapin.
  52. Po ai e la pëlhurën dhe iku nga ata lakuriq.
  53. Edhe prunë Jisuin te kryeprifti. Dhe mblidhen tek ai gjithë kryepriftërinjtë e shkruesit.
  54. Edhe Pjetri i shkoi pas prej së largu deri brenda në oborrin e kryepriftit; dhe ishte duke ndenjur bashkë me shërbëtorët, dhe po ngrohej në zjarr.
  55. Edhe kryepriftërinjtë e gjithë kuvendi kërkonin dëshmi kundër Jisuit që ta vritnin, po nuk gjenin.
  56. Sepse shumë veta dhanë dëshmi të rreme kundër atij; po dëshmitë nuk ishin të njëllojta.
  57. Edhe disa u ngritën e jepnin dëshmi të rreme kundër tij,
  58. duke thënë se ne e dëgjuam atë të thotë se unë do ta prish këtë tempull të bërë me dorë, dhe për tri ditë do të ndërtoj një tjetër të pabërë me dorë.
  59. Po as kështu dëshmia e tyre s’ishte e njëllojtë.
  60. Atëherë kryeprifti u ngrit në mes dhe pyeti Jisuin, duke thënë: Nuk përgjigjesh asgjë? Ç’dëshmi japin këta kundër teje?
  61. Po ai s’bënte zë, dhe nuk përgjigjej asgjë. Përsëri kryprifti e pyeti atë duke i thënë atij: Ti je Krishti, i Biri i të Bekuarit?
  62. Edhe Jisui tha: Unë jam; dhe do të shihni të Birin e njeriut duke ndenjur nga e djathta e fuqisë, dhe duke ardhur bashkë me retë e qiellit.
  63. Atëherë kryeprifti çori rrobat e tij e thotë: Ç’nevojë kemi më për dëshmitarë?
  64. E dëgjuat blasfeminë; ç’ju duket juve? Edhe ata të gjithë e gjykuan se është fajtor për vdekje.
  65. Edhe disa zunë ta pështyjnë dhe t’i mbulojnë fytyrën dhe t’i bien me shuplaka, dhe t’i thonë: Profetizo. Edhe shërbëtorët i binin me purteka.
  66. Edhe ndërsa Pjetri ishte poshtë në oborr, vjen një nga shërbëtoret e kryepriftit,
  67. edhe kur pa Pjetrin duke u ngrohur, hodhi sytë mbi të e tha: Edhe ti ishe bashkë me Jisu Nazaretasin.
  68. Por ai e mohoi, duke thënë: Nuk di, as nuk marr vesh ç’thua ti. Edhe doli jashtë në avlli; dhe këndezi këndoi.
  69. Edhe shërbëtorja, kur e pa atë përsëri, zuri t’u thotë atyre që ishin duke ndenjur atje se ky është nga ata.
  70. Po ai përsëri e mohonte. Edhe pas pak here ata që ishin duke ndenjur atje përsëri i thanë Pjetrit: Me të vërtetë je nga ata; sepse je Galileas, dhe të folurit tënd ngjan.
  71. Po ai zuri të mallkojë edhe të bëjë be se nuk e njoh këtë njeri që thoni.
  72. Edhe këndezi këndoi për së dyti. Edhe Pjetrit i ra ndër mend fjala që i pati thënë Jisui se para se të këndojë këndezi dy herë, do të më mohosh tri herë. Edhe zuri të qajë.
 

Marku 15

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Markut

Marku  15

  1. Edhe menjëherë në mëngjes kryepriftërinjtë bashkë me pleqtë e me shkruesit, dhe gjithë kuvendi mbajtën këshillë, dhe si e lidhën Jisuin, e prunë dhe ia dorëzuan Pilatit.
  2. Edhe Pilati e pyeti: Ti je mbreti i Judenjve? Edhe ai u përgjigj e i tha: Ti po thua.
  3. Edhe kryepriftërinjtë e akuzonin shumë.
  4. Edhe Pilati përsëri e pyeti, duke thënë: Nuk përgjigjesh asgjë? Shiko sa dëshmojnë kundër teje.
  5. Po Jisui nuk u përgjigj më asgjë, kaq sa Pilati çuditej.
  6. Edhe për të kremte u lëshonte atyre një të burgosur, cilin të kërkonin ata.
  7. Edhe një, që thuhej Baraba, ishte burgosur bashkë me shokët e tij kryengritës, të cilët në kryengritje kishin bërë vrasje.
  8. Edhe turma bërtiti, e zuri të kërkojë siç bënte përherë për ata.
  9. Edhe Pilati iu përgjigj atyre, duke thënë: Doni t’ju lëshoj juve mbretin e Judenjve?
  10. Sepse e dinte që kryepriftërinjtë e kishin dorëzuar për smirë.
  11. Po kryepriftërinjtë shtynë turmën të lypë më tepër t’u lëshojë atyre Barabain.
  12. Edhe Pilati u përgjigj përsëri, e u tha atyre: Ç’doni pra t’i bëj këtij që i thoni mbret i Judenjve?
  13. Edhe ata përsëri bërtitën: Kryqëzoje.
  14. Edhe Pilati u thoshte atyre: Përse, ç’të keqe ka bërë? Po ata më tepër bërtitën: Kryqëzoje.
  15. Edhe Pilati, pasi donte t’i bënte qejfin turmës, u lëshoi Barabain, dhe Jisuin e dorëzoi, pasi e rrahu me frushkull, që të kryqëzohet.
  16. Atëherë ushtarët e prunë brenda oborrit, që është pretorja*, edhe mbledhin gjithë togën e ushtarëve.
  17. Edhe i veshin një rrobë të kuqe, edhe thurën një kurorë ferrash, e ia vënë rreth kokës.
  18. Edhe zunë ta përshëndesin, duke thënë: Gëzohu, o mbret i Judenjve.
  19. Edhe i binin në kokë me kallam, dhe e pështynin, dhe i binin në gjunjë e i faleshin.
  20. Edhe si e përqeshën, i zhveshën rrobën e kuqe, dhe i veshën rrobat e tij, dhe e çuan jashtë, që ta kryqëzojnë.
  21. Edhe zënë angari, për të ngritur kryqin e atij, një farë Simon Qireneasi, të atin e Aleksandrit e të Rufit, i cili shkonte andej, duke ardhur nga ara.
  22. Edhe e sjellin në vendin Golgota, që e përkthyer do të thotë “Vendi i kafkës”.
  23. Edhe i jepnin të pijë verë të përzier me smirnë; por ai nuk e mori.
  24. Edhe si e kryqëzuan, ndanë rrobat e tij duke hedhur short mbi to, ç’të marrë secili.
  25. Edhe ishte ora e tretë, dhe e kryqëzuan.
  26. Edhe mbishkrimi i fajit të tij ishte shkruar përsipër: Mbreti i Judenjve.
  27. Edhe bashkë me atë kryqëzojnë dy kusarë, një nga e djathta, e një nga e majta e tij.
  28. Edhe u përmbush shkronja që thotë: “Edhe me të paudhët u numërua”.
  29. Edhe ata që shkonin andej e shanin, duke tundur kryet e tyre, e duke thënë: Ua, ti që prish tempullin, dhe për tri ditë e ndërton,
  30. shpëto veten tënde, dhe zbrit nga kryqi.
  31. Kështu edhe kryepriftërinjtë e përqeshnin në mes tyre bashkë me shkruesit, e thoshin: Të tjerë shpëtoi, veten e tij s’mund ta shpëtojë.
  32. Krishti mbreti i Izraelit le të zbresë tani nga kryqi, që të shohim dhe të besojmë. Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të e shanin.
  33. Edhe kur u bë ora e gjashtë, u bë një errësirë mbi gjithë dheun, deri në orën e nëntë.
  34. Edhe në të nëntën orë Jisui bërtiti me zë të madh, duke thënë:“Eloi, Eloi, lama Sabakthani?”, që e përkthyer do të thotë “Perëndia im, Perëndia im, pse hoqe dorë prej meje?”.
  35. Edhe disa nga ata që ishin duke ndenjur atje, kur dëgjuan, thoshin: Ja tek po thërret Ilian.
  36. Edhe njëri u sul e mbushi një sfungjer me uthull, dhe e vuri mbi një kallam, e i dha të pijë, duke thënë: Lëreni, le të shohim nëse vjen Ilia ta zbresë.
  37. Edhe Jisui nxori zë të madh e dha shpirt.
  38. Edhe kurtina e tempullit u ça më dysh, prej së larti deri poshtë.
  39. Edhe kryeqindëshi, që rrinte përballë atij, kur pa se duke bërtitur kështu dha shpirt, tha: Me të vërtetë ky njeri paska qenë Bir Perëndie.
  40. Ishin edhe gra duke vëzhguar prej së largu; ndër ato ishte edhe Maria Magdalena, dhe Maria, e ëma e Jakovit të vogël dhe e Josiut, dhe Saloma,
  41. të cilat, edhe kur ishte në Galile, i vinin pas, dhe i shërbenin; si dhe shumë të tjera që qenë ngjitur bashkë me të në Jerusalem.
  42. Edhe tani si u ngrys, - sepse ishte e premte, domethënë dita para së shtunës, -
  43. erdhi Josifi që ishte nga Arimatea, këshilltar i nderuar, që edhe ai priste mbretërinë e Perëndisë; dhe guxoi e hyri tek Pilati dhe lypi trupin e Jisuit.
  44. Edhe Pilati u çudit, në qoftë se kishte vdekur tani; dhe thërriti pranë kryeqindëshin, dhe e pyeti në ka kohë që vdiq.
  45. Edhe si mori vesh prej kryeqindëshit, i fali trupin Josifit.
  46. Edhe ky bleu pëlhurë, dhe e zbriti, dhe e mbështolli me pëlhurën, dhe e vuri në një varr, që ishte latuar prej shkëmbi; dhe rrokullisi një gur në derën e varrit.
  47. Edhe Maria Magdalena, edhe Maria, e ëma e Josiut, vinin re ku po vihet.

 

 
 

Marku 16

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Markut

Marku  16

  1. Edhe si shkoi e shtuna, Maria Magdalena, dhe Maria, e ëma e Jakovit, dhe Saloma, blenë erëra, që të vijnë e ta lyejnë.
  2. Edhe shumë shpejt në mëngjes, të parën ditë të javës, vijnë në varr, ndërsa po lindte dielli.
  3. Edhe thoshin në mes tyre: Cili do të na rrokullisë gurin prej derës së varrit?
  4. Edhe kur hodhën sytë, shohin se guri ishte rrokullisur; sepse ishte fort i madh.
  5. Edhe si hynë në varr, panë një djalosh duke ndenjur në të djathtë, të veshur me rroba të bardha; dhe u trembën.
  6. Po ai u thotë atyre: Mos u trembni; kërkoni Jisu Nazaretasin, që u kryqëzua? U ngjall, nuk është këtu. Ja vendi ku e vunë.
  7. Po shkoni, e u thoni nxënësve të tij dhe Pjetrit se ai shkon më përpara se ju në Galile. Atje do ta shihni, siç ju tha juve.
  8. Edhe ato dolën shpejt e ikën nga varri; sepse i kishte zënë të dridhur e habi; dhe asnjeriu s’i thanë gjë, sepse kishin frikë.
  9. Edhe si u ngjall, në mëngjes, të parën ditë të javës, iu shfaq të parën herë Maria Magdalenës, prej së cilës kishte nxjerrë shtatë djaj.
  10. Ajo shkoi e lajmëroi ata që kishin qenë me të, atje tek ishin duke vajtuar e duke qarë.
  11. Edhe ata kur dëgjuan se rron, dhe se u pa nga ajo, nuk besuan.
  12. Edhe pastaj iu tregua në tjetër formë dy vetave nga ata, ndërsa po ecnin duke shkuar në arë.
  13. Edhe ata shkuan e lajmëruan të tjerët; por as atyre s’u besuan.
  14. Pastaj u tregua tek të njëmbëdhjetët, ndërsa ishin duke ndenjur në tryezë, dhe i shau për pabesinë e tyre, dhe për zemrën e ashpër, sepse nuk u besuan atyre që e panë të ngjallur.
  15. Edhe u tha atyre: Shkoni nëpër gjithë botën, dhe predikoni ungjillin nëpër gjithë krijesën.
  16. Kush të besojë dhe të pagëzohet, do të shpëtojë; po kush të mos besojë, do të dënohet.
  17. Edhe shenja mbi ata që do të besojnë do të jenë këto: Në emrin tim do të nxjerrin djaj, gjuhë të reja do të flasin, gjarpërinj do të zënë.
  18. Edhe në pifshin ndonjë gjë që sjell vdekje, nuk do t’u bëjë dëm atyre; përmbi të sëmurë dy duar do të vënë, dhe do të shërohen.
  19. Zoti pra, pasi u foli atyre, u ngjit në qiell dhe ndenji në të djathtë të Perëndisë.
  20. Edhe ata dolën e predikuan kudo, edhe Zoti ishte duke vepruar bashkë me ta dhe duke vërtetuar fjalën me çuditë që e shoqëronin. Amin.