AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Ungjilli sipas Llukait

Llukai 24

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait

Llukai 24

    1. Edhe ditën e parë të javës, herët që me natë, erdhën mbi varr, e prunë ato erërat e mira, të cilat i kishin bërë gati; ishin edhe disa veta bashkë me ato.
    2. Edhe gjetën gurin të rrokullisur prej varrit.
    3. Edhe si hynë brenda, nuk e gjetën trupin e Zotit Jisu.
    4. Edhe ndërsa këto po vrisnin mendjen për këtë punë, ja tek qëndruan përpara tyre dy burra me rroba që vetëtinin.
    5. Edhe meqenëse ato u frikësuan, dhe ulën fytyrën në dhe, ata u thanë atyre: Ç’kërkoni të gjallin ndër të vdekurit?
    6. Nuk është këtu, po u ngjall. Kujtohuni si ju pati folur juve, kur qe ende në Galile,
    7. duke thënë se Biri i njeriut duhet të jepet në duar njerëzish mëkatarë dhe të kryqëzohet, dhe të tretën ditë të ngjallet.
    8. Edhe u ranë ndër mend atyre fjalët e tij.
    9. Edhe si u kthyen nga varri, lajmëruan për të gjitha këto të njëmbëdhjetët dhe gjithë të tjerët.
    10. Edhe ishin Maria Magdalena, dhe Joana, dhe Maria e ëma e Jakovit, dhe të tjerat bashkë me to, të cilat u thoshin apostujve këto fjalë.
    11. Por fjalët e tyre u dukën përpara atyre si fjalë të zbrazëta, dhe nuk u besonin atyre.
    12. Edhe Pjetri u ngrit e shkoi me vrap në varr; dhe u ul e pa vetëm pëlhurat që ishin përdhe. Edhe iku duke u çuditur me veten e tij për këtë punë.
    13. Edhe ja dy veta prej tyre ishin duke shkuar atë ditë në një fshat që quhej Emaus, që ishte gjashtëdhjetë stade larg nga Jerusalemi.
    14. Edhe ata flisnin në mes tyre për gjithë këto që kishin ngjarë.
    15. Edhe kur po flisnin e diskutonin njëri me tjetrin, u afrua edhe vetë Jisui e ecte bashkë me ta.
    16. Po sytë e tyre mbaheshin për të mos e njohur atë.
    17. Edhe ai u tha atyre: ç’janë këto fjalë që flitni njëri me tjetrin duke ecur, dhe pse jeni të vrenjtur?
    18. Edhe njëri, që e kishte emrin Kleopa, u përgjigj e tha: Vetëm ti qenke i huaj në Jerusalem, dhe s’paske marrë vesh se ç’janë bërë në të në këto ditë?
    19. Edhe ai u tha atyre: Cilat? Edhe ata i thanë: Punët e Jisu Nazaretasit, i cili qe njeri profet, i fortë në punë e në fjalë përpara Perëndisë dhe gjithë popullit;
    20. edhe si kryepriftërinjtë e të parët tanë e dorëzuan për dënim me vdekje dhe e kryqëzuan.
    21. Edhe ne shpresonim se ishte ai që kishte për të shpërblyer Izraelin. Po mbi gjithë këto, sot është e treta ditë qëkurse u bënë këto.
    22. Por na habitën edhe disa gra prej nesh, të cilat shkuan shpejt që me natë në varr,
    23. edhe pasi nuk gjetën trupin e tij, erdhën duke thënë se kishin parë edhe një pamje engjëjsh, të cilët thanë se ai rron.
    24. Edhe disa nga tanët shkuan në varr dhe e gjetën ashtu siç thanë edhe gratë; por atë nuk e panë.
    25. Atëherë ai u tha atyre: O të marrë dhe të vonuar në zemër për të besuar gjithë ato që folën profetët.
    26. A nuk duhej t’i pësonte këto Krishti, dhe të hynte në lavdinë e tij?
    27. Edhe duke zënë që nga Moisiu dhe që nga gjithë profetët, u komentonte atyre ato që ishin shkruar për të nëpër gjithë shkrimet.
    28. Edhe u afruan në fshatin ku po vinin. Edhe ai bëri sikur kishte për të shkuar më tej.
    29. Po ata e shtrënguan tepër, duke thënë: Rri bashkë me ne, sepse është ndaj të ngrysur dhe dita u thye. Edhe ai hyri për të qëndruar bashkë me ta.
    30. Edhe si ndenji në tryezë bashkë me ata, mori bukën, e bekoi dhe e theu, dhe ua ndau atyre.
    31. Atëherë u hapën sytë e tyre dhe e njohën; por ai humbi prej syve të atyre.
    32. Edhe ata i thanë njëri-tjetrit: A nuk digjej zemra jonë ndër ne, kur na fliste udhës dhe na zgjidhte shkrimet?
    33. Edhe u ngritën në atë orë dhe u kthyen në Jerusalem, dhe gjetën të mbledhur bashkë të dymbëdhjetët, dhe ata që ishin bashkë me ata,
    34. të cilët thoshin se me të vërtetë Zoti u ngjall dhe u duk tek Simoni.
    35. Edhe ata tregonin ç’u ngjanë udhës, dhe si u njoh tek ata në thyerjen e bukës.
    36. Edhe ndërsa ata po flisnin këto, vetë Jisui qëndroi në mes tyre, dhe u thotë: Paqe mbi ju.
    37. Po ata u trembën e u frikësuan, sepse u dukej se po shihnin ndonjë shpirt.
    38. Edhe ai u tha atyre: Përse jeni të turbulluar? Dhe përse hipin mendime në zemrat tuaja?
    39. Shihni duart e mia dhe këmbët e mia, se unë jam ai; prekmëni dhe shihni; se shpirti s’ka mish e eshtra, siç më shihni mua se kam.
    40. Edhe si tha këtë, u tregoi duart dhe këmbët.
    41. Po ndërsa ata nuk besonin nga gëzimi dhe çuditeshin, u tha atyre: A keni gjë për të ngrënë këtu?
    42. Edhe ata i dhanë një copë peshk të pjekur dhe hoje mjalti.
    43. Edhe ai mori e hëngri përpara tyre.
    44. Pastaj u tha atyre: Këto janë ato fjalë, që ju fola juve, kur isha bashkë me ju, se duhet të përmbushen gjithë ato që janë shkruar në ligjin e Moisiut dhe në profetët dhe në Psalmet për mua.
    45. Atëherë u hapi mendjen atyre, që të merrnin vesh shkrimet.
    46. Edhe u tha atyre se kështu është shkruar, dhe kështu duhej të hiqte Krishti, dhe të ngjallej prej së vdekurish të tretën ditë,
    47. edhe të predikohej në emrin e tij pendim dhe ndjesë mëkatesh mbi gjithë kombet, duke zënë nga Jerusalemi.
    48. Edhe ju jeni dëshmitarë për këto.
    49. Edhe ja unë tek po dërgoj premtimin e Atit tim mbi ju; dhe ju rrini në qytetin Jerusalem, deri sa të visheni me fuqi prej së larti.
    50. Pastaj i nxori jashtë deri në Betani; dhe ngriti duart e tij e i bekoi.
    51. Edhe duke i bekuar ata ai u nda prej tyre, dhe u pru në qiell.
    52. Edhe ata si iu falën atij, u kthyen në Jerusalem me gëzim të madh.
    53. Edhe ishin gjithnjë në tempull, duke lavdëruar e duke bekuar Perëndinë. Amin.
 

Llukai 23

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait

Llukai 23

  1. Atëherë gjithë turma e tyre u ngritën dhe e prunë tek Pilati.
  2. Edhe zunë ta akuzonin duke thënë se këtë e gjetëm duke prishur kombin dhe duke ndaluar njerëzit t’i japin taksa Qezarit, duke thënë për veten e tij se është Krishti mbret.
  3. Edhe Pilati e pyeti, duke thënë: Ti je mbreti i Judenjve? Edhe ai u përgjigj e i tha: Ti po thua.
  4. Edhe Pilati u tha kryepriftërinjve e turmës: Asnjë faj nuk gjej te ky njeri.
  5. Por ata qëndronin me forcë duke thënë se trazon popullin, duke mësuar nëpër gjithë Judenë, duke nisur që nga Galilea e deri këtu.
  6. Edhe Pilati kur dëgjoi fjalën Galilea, pyeti në është ky njeri Galileas.
  7. Edhe kur e mori vesh se ishte prej vendit ku ushtronte pushtetin Irodi, e dërgoi tek Irodi, i cili edhe ai ato ditë ishte në Jerusalem.
  8. Edhe kur pa Jisuin, Irodi u gëzua shumë; se kishte mjaft kohë që donte ta shihte, sepse kishte dëgjuar shumë gjëra për të; dhe shpresonte të shihte të bëhej ndonjë shenjë prej tij.
  9. Edhe e pyeste me shumë fjalë, por ai nuk i përgjigjej fare.
  10. Edhe kryepriftërinjtë e shkruesit rrinin duke e akuzuar atë me zjarr.
  11. Edhe Irodi bashkë me ushtarët e tij e poshtëroi dhe e përqeshi, dhe i veshi një rrobë të ndritshme, dhe e dërgoi përsëri tek Pilati.
  12. Edhe atë ditë Pilati e Irodi u bënë miq njëri me tjetrin; sepse më përpara ishin në armiqësi me njëri-tjetrin.
  13. Edhe Pilati si thirri bashkë kryepriftërinjtë e të parët dhe popullin,
  14. u tha atyre: Prutë këtë njeri tek unë, se sikur trazon popullin; dhe ja unë përpara jush e pyeta hollësisht dhe nuk gjeta ndonjë faj te ky njeri, nga sa e akuzoni atë.
  15. Por as Irodi, se ju dërgova ju tek ai; dhe ja asgjë që të vlejë për vdekje s’ka bërë.
  16. Pasi ta mundoj pra, do ta lëshoj.
  17. Edhe i detyruar nga nevoja Pilati duhej t’u lëshonte atyre një nga të burgosurit për të kremte.
  18. Po të gjithë bashkë bërtitën, duke thënë: Ngrije këtë, dhe na lësho Barabain,
  19. i cili ishte hedhur në burg për një trazirë që ishte bërë në qytet dhe për vrasje.
  20. Përsëri pra Pilati u foli atyre se donte ta lëshonte Jisuin.
  21. Po ata thërritnin, duke thënë: Kryqëzoje, kryqëzoje.
  22. Edhe ai për të tretën herë u tha atyre: Përse, ç’të keqe ka bërë? Asnjë faj për vdekje s’gjeta tek ai; pasi ta mundoj pra, do ta lëshoj.
  23. Po ata qëndronin me zë të madh, duke kërkuar të kryqëzohet; edhe zërat e tyre e të kryepriftërinjve po forcoheshin shumë e më shumë.
  24. Edhe Pilati vendosi të bëhet kërkesa e tyre.
  25. Edhe u lëshoi atyre atë që ishte hedhur në burg për trazirë e për vrasje, të cilin e kërkonin, po Jisuin e dha në dëshirën e tyre.
  26. Edhe si e nxorën jashtë, zunë njëfarë Simon Qireneasi, që ishte duke ardhur nga ara, dhe i vunë kryqin mbi krahë, që ta sillte prapa Jisuit.
  27. Edhe i vinin prapa një turmë e madhe populli e grash, të cilat edhe çirreshin e ulërinin për të.
  28. Po Jisui u kthye e u tha atyre: Bija të Jerusalemit, mos qani për mua, po qani për veten tuaj dhe për fëmijët tuaj.
  29. Sepse ja tek po vijnë ditë, në të cilat do të thonë: Lum shterpat dhe ato barqe që nuk lindën dhe ata gjinj që nuk dhanë sisë.
  30. Atëherë do të zënë t’u thonë maleve: Bini mbi ne; dhe kodrave: Mbulonani.
  31. Sepse nëse mbi drurin e njomë bëjnë këto, mbi të thatin ç’do të bëhet?
  32. Po silleshin edhe dy keqbërës të tjerë që të vriteshin bashkë me të.
  33. Edhe kur erdhën në vendin që quhet vendi i Kafkës, atje e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë, dhe tjetrin në të majtë.
  34. Edhe Jisui thoshte: O Atë, ndjei ata; sepse nuk dinë se ç’bëjnë. Edhe duke ndarë rrobat e tij, hodhën short.
  35. Edhe populli rrinte e po vështronte. Edhe të parët e përqeshnin bashkë me ata, duke thënë: Të tjerë shpëtoi; le të shpëtojë veten e tij, nëse është ky Krishti, i zgjedhuri i Perëndisë.
  36. Edhe e përqeshnin atë edhe ushtarët, duke u afruar e duke i dhënë atij uthull,
  37. edhe duke thënë: Nëse je ti mbreti i Judenjve, shpëto veten tënde.
  38. Edhe ishte shkruar mbi të edhe një mbishkrim me shkronja Greqishte e Latinishte e Hebraishte: Ky është mbreti i Judenjve.
  39. Edhe një nga ata keqbërësit që ishin varur, e shante atë, duke thënë: Nëse je ti Krishti, shpëto veten tënde dhe ne.
  40. Po tjetri u përgjigj dhe e qortoi atë, duke thënë: As nga Perëndia s’ke frikë ti që je në një dënim me të?
  41. Dhe ne me të drejtë jemi dënuar; sepse morëm shpagim siç na takon për sa punuam; po ky asnjë të keqe nuk bëri.
  42. Pastaj i thoshte Krishtit: Kujtomë, o Zot, kur të vish në mbretërinë tënde.
  43. Edhe Jisui i tha: Me të vërtetë po të them, sot do të jesh bashkë me mua në parajsë.
  44. Edhe ishte afërsisht ora e gjashtë, dhe u bë errësirë mbi gjithë dhenë deri në orën e nëntë.
  45. Edhe dielli u err; dhe kurtina e tempullit u ça përmes.
  46. Edhe Jisui thirri me zë të madh, e tha: O Atë, në duart e tua jap shpirtin tim. Edhe si tha këto, dha shpirtin.
  47. Edhe kryeqindëshi, kur pa se ç’u bë, lavdëroi Perëndinë, duke thënë: Me të vërtetë ky njeri paska qenë i drejtë.
  48. Edhe gjithë turmat që kishin ardhur bashkë për të shikuar, kur panë se ç’u bë, ktheheshin duke rrahur krahërorët e tyre.
  49. Edhe rrinin gjithë të njohurit e tij për së largu, si dhe gratë që kishin ardhur bashkë me të nga Galilea, duke shikuar këto veprime.
  50. Edhe ja një burrë që quhej Josif, i cili ishte anëtar i këshillit, njeri i mirë e i drejtë,
  51. - ky nuk pati qenë në një mendje në këshillë e në punët e tyre, - nga Arimatea, qytet i Judenjve, i cili edhe vetë priste mbretërinë e Perëndisë.
  52. Ky erdhi pranë Pilatit, dhe lypi trupin e Jisuit.
  53. Edhe si e zbriti, e mbështolli me pëlhurë dhe e vuri në një varr të gdhendur në gur, ku asnjë kurrë s’ishte vënë.
  54. Edhe ishte ditë e premte dhe gdhihej e shtunë.
  55. Edhe i shkuan prapa edhe gra, të cilat kishin ardhur bashkë me të nga Galilea; ato panë varrin dhe se si u vu trupi i tij atje.
  56. Edhe u kthyen e bënë gati erëra të mira e vajra ere; dhe të shtunën u prehën sipas porosisë së ligjit.
 

Llukai 22

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait

Llukai 22

  1. Edhe po afrohej e kremtja e të pabrumëtave, që quhet pashkë.
  2. Edhe kryepriftërinjtë e shkruesit kërkonin se si ta vrisnin, sepse kishin frikë prej popullit.
  3. Edhe Satanai hyri te Juda që quhej Iskariot, i cili ishte nga numri i të dymbëdhjetëve.
  4. Edhe Juda shkoi e foli me kryepriftërinjtë e me të parët e ushtarëve, se si t’ua dorëzonte.
  5. Edhe ata u gëzuan, dhe bënë fjalë t’i japin argjend.
  6. Edhe ai u zotua e kërkonte kohë të përshtatshme që t’ua dorëzonte pa bërë trazirë.
  7. Edhe erdhi dita e të pabrumëtave, në të cilën duhej të therej kurbani i pashkës.
  8. Edhe Jisui dërgoi Pjetrin dhe Joanin, duke thënë: Shkoni dhe na bëni gati pashkën, që të hamë.
  9. Edhe ata i thanë: Ku do ta bëjmë gati?
  10. Edhe ai u tha atyre: Kur të hyni ju në qytet, ja tek do t’ju takojë një njeri që mban një shtambë uji. Shkoni pas atij në shtëpinë ku të hyjë,
  11. dhe do t’i thoni të Zotit të shtëpisë: Mësuesi të thotë ty, ku është vendi, ku do të ha pashkën bashkë me nxënësit e mi.
  12. Edhe ai do t’ju tregojë juve një dhomë të madhe të shtruar. Atje bëjeni gati.
  13. Edhe ata si shkuan, gjetën siç u tha; dhe bënë gati pashkën.
  14. Edhe kur erdhi ora ndenji në tryezë, dhe të dymbëdhjetë apostujt bashkë me të.
  15. Edhe u tha atyre: Me dëshirë desha të ha këtë pashkë me ju, para se të pësoj.
  16. Sepse po ju them juve, se s’kam për të ngrënë më prej saj, deri sa të plotësohet në mbretërinë e Perëndisë.
  17. Edhe si mori kupën, falënderoi, e tha: Merreni këtë dhe ndajeni në mes tuaj.
  18. Sepse po ju them juve se s’kam për të pirë prej pemës së hardhisë deri sa të vijë mbretëria e Perëndisë.
  19. Pastaj mori bukë, falënderoi dhe e theu e ua dha atyre duke thënë: Ky është trupi im, që jepet për ju; këtë bëjeni për kujtimin tim.
  20. Kështu, pasi hëngrën mori edhe potirin, duke thënë: Ky potir është dhiata e re në gjakun tim, që derdhet për ju.
  21. Por ja dora e atij që më tradhton tek është bashkë me mua mbi tryezë.
  22. Edhe i Biri i njeriut shkon, siç është urdhëruar për të, po mjerë ai njeri, me anë të të cilit tradhtohet.
  23. Edhe ata zunë të bisedonin në mes tyre se, vallë, cili prej atyre do të jetë ai që do ta bëjë këtë.
  24. U bë edhe një bisedë në mes tyre: Vallë, cili prej atyre duket se është më i madh.
  25. Edhe ai u tha atyre: Mbretërit e kombeve zotërojnë mbi ata, dhe ata që kanë pushtet mbi ata quhen mirëbërës.
  26. Po ju nuk do të jeni kështu; po më i madhi ndër ju le të bëhet si më i vogli, dhe ai që është i parë si ai që shërben.
  27. Se, cili është më i madh, ai që ka ndenjur në tryezë, apo ai që shërben? Apo jo ai që ka ndenjur në tryezë? Po unë jam në mes tuaj si ai që shërben.
  28. Edhe ju jeni ata që keni qendruar bashkë me mua në ngasjet e mia.
  29. Prandaj edhe unë bëj gati për ju një mbretëri, sikurse im Atë për mua,
  30. që të hani e të pini në tryezën time në mbretërinë time, dhe të rrini mbi frone, duke gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
  31. Edhe Zoti tha: Simon, Simon, ja Satanai tek ju kërkoi ju, që t’ju shoshë si grurë.
  32. Por unë u luta për ty, që të të mos shteret besimi; dhe ti, kur të kthehesh, forco vëllezërit e tu.
  33. Po ai i tha: Zot, jam gati të shkoj bashkë me ty edhe në burg edhe në vdekje.
  34. Po ai tha: Pjetër, po të them ty, nuk do të këndojë këndezi sot para se të më mohosh tri herë duke thënë se nuk më njeh.
  35. Pastaj u tha atyre: Kur ju dërgova për të predikuar pa kuletë e pa trastë e pa këpucë, mos ju mungoi gjë juve? Edhe ata thanë: Asgjë.
  36. U tha pra atyre: Por tani, ai që të ketë kuletë, le ta marrë me vete; kështu edhe ai që të ketë trastë; dhe ai që të mos ketë, le të shesë rrobën e tij dhe le të blejë thikë.
  37. Sepse po ju them juve se edhe kjo e shkruar duhet të përmbushet në mua, se “Edhe me të paudhët u numërua”, sepse të shkruarat për mua po marrin fund.
  38. Edhe ata thanë: Zot, ja tek janë këtu dy thika. Edhe ai u tha atyre: Mjaft është.
  39. Pastaj doli e shkoi, siç e kishte zakon në Malin e Ullinjve; dhe i shkuan pas edhe nxënësit e tij.
  40. Edhe si erdhi në vend, u tha atyre: Faluni për të mos hyrë në ngasje.
  41. Edhe ai u nda nga ata sa një të hedhur guri, dhe ra në gjunjë e falej,
  42. duke thënë: O Atë, nëse do, largoje këtë potir prej meje; veç jo dëshira ime, po jotja le të bëhet.
  43. Edhe iu duk një engjëll prej qielli duke i dhënë fuqi atij.
  44. Edhe si erdhi në agoni falej më tepër. Edhe djersa e atij u bë si të ngrira pikash gjaku duke rënë mbi dhe.
  45. Edhe si u ngrit nga falja, erdhi tek nxënësit e tij, e i gjeti duke fjetur nga hidhërimi,
  46. e u tha atyre: Ç’flini? Ngrihuni e faluni, që të mos hyni në ngasje.
  47. Edhe ndërsa ai po fliste, ja turma, dhe ai që quhej Judë, një nga të dymbëdhjetët, tek po vinte përpara tyre, dhe u afrua tek Jisui, që ta puthte.
  48. Edhe Jisui i tha: Judë, me puthje e tradhton të Birin e njeriut?
  49. Edhe ata që ishin rreth tij kur panë se ç’do të bëhej, i thanë: Zot, t’u biem me thikë?
  50. Edhe një nga ata i ra shërbëtorit të kryepriftit, dhe i preu veshin e djathtë.
  51. Po Jisui u përgjigj e tha: Lëreni deri këtu; dhe kapi veshin e atij dhe e shëroi.
  52. Edhe Jisui u tha kryepriftërinjve e të parëve të tempullit e pleqve që kishin ardhur mbi të: Si mbi kusar keni dalë me thikë e me dru?
  53. Unë përditë isha me ju në tempull dhe nuk shtritë duart mbi mua. Po kjo është ora juaj dhe pushteti i errësirës.
  54. Edhe si e zunë, çuan dhe e prunë në shtëpinë e kryepriftit. Edhe Pjetri i vinte pas për së largu.
  55. Edhe si ndezën ata zjarr në mes të oborrit dhe ndenjën bashkë, rrinte edhe Pjetri në mes tyre.
  56. Edhe një shërbëtore, kur e pa atë duke ndenjur kundrejt dritës, e duke hedhur sytë mbi të, tha: Edhe ky ishte bashkë me atë.
  57. Po ai e mohoi, duke thënë: O grua, nuk e njoh.
  58. Edhe pas pakëz e pa atë një tjetër dhe tha: Edhe ti je prej atyre. Po Pjetri tha: O njeri, nuk jam.
  59. Edhe pasi shkoi rreth një orë, një tjetër qëndronte me forcë, duke thënë: Me të vërtetë edhe ky ishte bashkë me të; sepse edhe Galileas është.
  60. Po Pjetri tha: O njeri, nuk di ç’thua. Edhe përnjëherë, ndërsa ai ishte ende duke folur, këndoi këndezi.
  61. Edhe Zoti u kthye e hodhi sytë mbi Pjetrin; dhe Pjetrit i ra ndër mend fjala e Zotit që i pati thënë se para se të këndojë këndezi, do të më mohosh tri herë.
  62. Edhe Pjetri doli jashtë dhe qau me hidhërim.
  63. Edhe ata burrat që mbanin Jisuin, e përqeshnin dhe e rrihnin.
  64. Edhe duke mbuluar sytë e tij, i binin faqes dhe e pyetnin duke thënë: Profetizo, cili është ai që të ra?
  65. Edhe i thoshin shumë të tjera duke sharë.
  66. Edhe si u bë ditë, u mblodh pleqësia e popullit dhe kryepriftërinjtë e shkruesit, dhe e prunë lart në kuvendin e tyre duke thënë: Nëse je ti Krishti, na thuaj.
  67. Edhe ai u tha atyre: Nëse ju them juve, nuk do të besoni.
  68. Edhe nëse ju pyes, nuk do të më përgjigjeni, as nuk do të më lëshoni.
  69. Që tani Biri i njeriut do të jetë duke ndenjur nga e djathta e fuqisë së Perëndisë.
  70. Atëherë të gjithë thanë: Ti pra je i Biri i Perëndisë? Edhe ai u tha atyre: Ju po thoni se unë jam.
  71. Edhe ata thanë: Ç’nevojë kemi më për dëshmi, sepse ne vetë e dëgjuam prej gojës së tij.
 

Llukai 21

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait

Llukai 21

  1. Edhe hodhi sytë e pa të pasurit që hidhnin dhuratat e tyre në thesar.
  2. Pa edhe një të ve të varfër duke hedhur atje dy të imëta.
  3. Edhe tha: Me të vërtetë po ju them juve, se kjo e ve e varfër, hodhi më shumë se të gjithë.
  4. Sepse gjithë këta hodhën në dhuratat e Perëndisë prej tepricës së tyre, po kjo prej skamjes së saj hodhi gjithë pasurinë e vet që pati.
  5. Edhe ndërsa disa po flisnin për tempullin se është i stolisur me gurë të bukur e me dhurata, tha:
  6. Këto që shikoni, do të vijnë ditë, në të cilat nuk do të mbetet gur mbi gur, që të mos rrëzohet.
  7. Edhe e pyetën, duke thënë: Mësues, kur pra do të bëhen këto? Edhe cila do të jetë shenja, kur do të bëhen këto?
  8. Edhe ai tha: Shikoni të mos gënjeheni; sepse shumë veta do të vijnë në emrin tim, duke thënë se unë jam; dhe se koha u afrua. Mos shkoni pra prapa atyre.
  9. Edhe kur të dëgjoni luftra e trazira, mos u frikësoni; sepse këto duhet të bëhen më parë; po nuk është menjëherë fundi.
  10. Atëherë u thoshte atyre: Do të ngrihet komb kundër kombi, dhe mbretëri kundër mbretërie,
  11. edhe do të bëhen tërmete të mëdha në vende të ndryshme, dhe zira e murtaja, dhe do të ketë gjëra të frikshme e shenja të mëdha prej qiellit.
  12. Po para gjithë këtyre do të vënë duart e tyre mbi ju, dhe do t’ju ndjekin e do t’ju dorëzojnë nëpër sinagoga e nëpër burgje, duke ju prurë përpara mbretërve e qeveritarëve për shkak të emrit tim.
  13. Edhe kjo do t’ju jetë juve për dëshmi.
  14. Vini pra në zemrat tuaja këtë, të mos mendoheni më përpara me ç’fjalë të përgjigjeni,
  15. sepse unë do t’ju jap juve gojë e urtësi, së cilës nuk do të mund t’i kundërshtojnë, as t’i rrinë kundër gjithë armiqtë tuaj.
  16. Dhe do të dorëzoheni edhe prej prindërish e prej vëllezërish e prej njerëzish tuaj e prej miqsh; dhe do të vrasin disa prej jush.
  17. Edhe të gjithë do t’ju kenë smirë për emrin tim.
  18. Po asnjë qime prej kokës suaj s’ka për të humbur.
  19. Me durimin tuaj do të fitoni shpirtrat tuaj.
  20. Edhe kur të shihni Jerusalemin të rrethuar prej ushtrive, atëherë dijeni se u afrua shkretimi i tij.
  21. Atëherë ata që të jenë në Jude, le të ikin nëpër male; dhe ata që të jenë brenda në të, le të dalin jashtë, dhe ata që të jenë në fshatra, le të mos hyjnë brenda në të.
  22. Sepse ditë shpagimi janë ato, që të përmbushen gjithë të shkruarat.
  23. Edhe mjerë ato gra që janë shtatzëna e që kanë foshnjë në gji në ato ditë sepse do të jetë shtrëngim i madh mbi dhe, edhe zemërim mbi këtë popull.
  24. Edhe do të bien prej goje thikash, dhe do të skllavërohen nëpër gjithë kombet; dhe Jerusalemi do të shkelet prej kombesh, deri sa të plotësohen kohët e kombeve.
  25. Edhe do të ketë shenja në diell e në hënë e në yjet; dhe mbi tokë shtrëngim kombesh që nuk dinë ç’do të bëhen; dhe do të buçasë deti dhe valët.
  26. Njerëzve do t’u dalë shpirti nga frika e nga pritja e të këqijave që po vijnë mbi botë; sepse fuqitë e qiellit do të tunden.
  27. Edhe atëherë do të shohin të Birin e njeriut duke ardhur në re me fuqi e me lavdi të madhe.
  28. Edhe kur të nisin të bëhen këto, shikoni lart dhe ngrini kryet tuaj; sepse po afrohet shpërblimi juaj.
  29. Edhe u tha atyre një paravoli: Shihni drurin e fikut dhe gjithë drurët;
  30. tanimë kur të çelen, duke parë vetë ju merrni vesh se tani vera është afër.
  31. Kështu edhe ju, kur të shihni këto se bëhen, ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër.
  32. Me të vërtetë po ju them juve, se ky brez nuk do të shkojë, deri sa të bëhen të gjitha këto.
  33. Qielli edhe dheu do të shkojnë, po fjalët e mia nuk do të shkojnë.
  34. Edhe vini re veten tuaj se mos u rëndohen zemrat prej dehjes e prej pirjes e prej kujdesjeve të jetës, e të vijë përmbi ju papandehur ajo ditë.
  35. Sepse si lak do të vijë përmbi të gjithë ata që rrinë mbi faqe të gjithë dheut.
  36. Rrini zgjuar pra duke u lutur në çdo kohë, që të bëheni të zotët të shpëtoni nga gjithë këto që do të bëhen, dhe të rrini përpara të Birit të njeriut.
  37. Edhe ditën mësonte në tempull, po natën dilte jashtë, dhe e shkonte natën në malin që quhet i Ullinjve.
  38. Edhe gjithë populli vinte që me natë tek ai në tempull për të dëgjuar atë.
 

Llukai 20

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait

Llukai 20

  1. Edhe në një nga ato ditë, ndërsa ai mësonte popullin në tempull, dhe jepte lajmin e mirë, kryepriftërinjtë e shkruesit bashkë me pleqtë erdhën pranë tij,
  2. e i folën, duke thënë: Na thuaj, me ç’pushtet i bën këto? Ose cili është ai që të ka dhënë këtë pushtet?
  3. Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Edhe unë do t’ju pyes ju një fjalë, dhe më thoni:
  4. Pagëzimi i Joanit prej qielli ishte a prej njerëzish?
  5. Edhe ata mendoheshin me veten e tyre duke thënë se, në thënçim: Prej qielli, do të thotë: Pse s’i besuat pra?
  6. Po në thënçim: Prej njerëzish, gjithë populli do të na qëllojë me gurë, sepse i është mbushur mendja se Joani është profet.
  7. Edhe u përgjigjën se nuk e dinë nga ishte.
  8. Edhe Jisui u tha atyre: As unë nuk ju them me çfarë pushteti i bëj këto.
  9. Pastaj zuri t’i thoshte popullit këtë paravoli: Një njeri mbolli një vresht, dhe e pajtoi ndër bujq, edhe shkoi në dhe të huaj për shumë kohë.
  10. Edhe në kohën e pemëve dërgoi një shërbëtor te bujqit, që t’i jepnin prej pemës së vreshtit; po bujqit e rrahën, dhe e dërguan zbrazët.
  11. Edhe përsëri dërgoi një tjetër shërbëtor; po ata edhe atë e rrahën, dhe e turpëruan, dhe e dërguan zbrazët.
  12. Edhe përsëri dërgoi një të tretë; por ata edhe këtë e bënë me plagë dhe e dëbuan.
  13. Edhe i zoti i vreshtit tha: Ç’të bëj? Le të dërgoj birin tim të dashur; mbase kur të shohin këtë, do të kenë turp.
  14. Po bujqit kur e panë, mendoheshin me vete duke thënë: Ky është trashëgimtari. Ejani, le ta vrasim, që të na mbetet trashëgimi.
  15. Edhe e nxorën jashtë vreshtit, dhe e vranë. Ç’do t’u bëjë pra atyre i zoti i vreshtit?
  16. Do të vijë e do t’i prishë këta bujq, dhe vreshtin do t’ua japë të tjerëve.
  17. Po ata kur dëgjuan, thanë: Qoftë larg! Edhe ai hodhi sytë mbi ata e tha: Ç’është pra kjo që është shkruar: “Guri që s’e pëlqyen ata që ndërtojnë, ky u bë kreu i qoshes”?
  18. Kushdo që të bjerë mbi atë gur do të copëtohet; dhe mbi atë që të bjerë, do ta dërrmojë.
  19. Edhe kryepriftërinjtë e shkruesit kërkuan të vënë duart mbi atë në atë orë; po patën frikë nga populli; sepse e morën vesh se për ata e tha këtë paravoli.
  20. Edhe duke e ruajtur atë për së afërmi, dërguan përgjues, të cilët shtiheshin se janë të drejtë, me qëllim që ta zinin prej fjale, që t’ia dorëzonin autoritetit dhe pushtetit të qeveritarit.
  21. Edhe e pyetën, duke thënë: Mësues, e dimë se flet e mëson drejt dhe nuk i mban anë njeriu, por me të vërtetë mëson udhën e Perëndisë.
  22. A është e udhës t’i japim ne Qezarit taksë, apo jo?
  23. Edhe ai, si kuptoi dinakërinë e tyre, u tha: Përse më ngitni?
  24. Tregomëni një dinar. Të kujt e ka fytyrën e mbishkrimin? Edhe ata u përgjigjën e thanë: Të Qezarit.
  25. Edhe ai u tha atyre: Jepini pra Qezarit ato që janë të Qezarit, dhe Perëndisë ato që janë të Perëndisë.
  26. Edhe nuk mundën ta zinin prej fjale përpara popullit; dhe u çuditën për përgjigjen e tij, dhe s’bënë zë.
  27. U afruan edhe disa veta prej Saduqenjve, të cilët mohojnë se ka ngjallje, dhe e pyetën,
  28. duke thënë: Moisiu na ka shkruar: Në i vdektë ndonjërit vëllai që ka grua, dhe ky të vdesë pa lënë fëmijë, i vëllai i tij të marrë gruan, dhe të ngjallë farë për të vëllanë e tij.
  29. Ishin pra shtatë vëllezër; dhe i pari mori grua e vdiq pa lënë fëmijë.
  30. Dhe i dyti mori gruan; dhe ky vdiq pa lënë fëmijë.
  31. Edhe i treti e mori atë; gjithashtu edhe të shtatët; dhe nuk lanë fëmijë, dhe vdiqën.
  32. Edhe më pas nga të gjithë vdiq edhe gruaja.
  33. Në ngjallje, pra, grua e kujt nga ata do të jetë? Sepse edhe të shtatët e patën atë grua.
  34. Po Jisui u përgjigj e u tha atyre: Të bijtë e kësaj jete martojnë e martohen.
  35. Po ata që u bënë të zotët të fitojnë atë jetë dhe ngjalljen prej së vdekurish as martojnë as martohen,
  36. sepse as të vdesin nuk mundin më; sepse janë të ngjashëm me engjëjt; dhe janë bij të Perëndisë, duke qenë bij të ngjalljes.
  37. Dhe se ngjallen të vdekurit, edhe Moisiu e tregoi në ferrë, kur thotë: Zotin Perëndinë e Abrahamit dhe Perëndinë e Isakut dhe Perëndinë e Jakovit.
  38. Edhe Perëndia nuk është Perëndi të vdekurish, por të gjallësh; sepse të gjithë rrojnë në të.
  39. Edhe disa nga shkruesit u përgjigjën e thanë:
  40. Mësues, mirë the. Edhe nuk guxonin më ta pyetnin për asgjë.
  41. Edhe ai u tha atyre: Si thonë, se Krishti është bir i Davidit?
  42. Edhe Davidi vetë thotë në librin e Psalmeve: “I tha Zoti Zotit tim, rri në të djathtën time,
  43. deri sa të vë armiqtë e tu nënkëmbje të këmbëve të tua”.
  44. Davidi pra e quan atë Zot, dhe si është i biri i tij?
  45. Edhe tek po dëgjonte gjithë populli, u tha nxënësve të tij:
  46. Ruhuni nga shkruesit që duan të ecin të stolisur, dhe duan përshëndetje nëpër tregjet, dhe fronet e para nëpër sinagogat, dhe vendet e para nëpër darkat;
  47. të cilët hanë shtëpitë e të vejave, duke nxjerrë shkak se falen shumë. Këta do të marrin më tepër mundim.
 

Llukai 19

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait

Llukai 19

  1. Edhe Jisui hyri e shkonte nëpër Jeriko.
  2. Edhe ja një njeri i quajtur me emrin Zakhe, i cili ishte kryetagrambledhës; dhe ishte i pasur.
  3. Edhe kërkonte të shihte Jisuin se cili është; po nuk mundej nga turma, sepse ishte i vogël në shtat.
  4. Edhe u sul përpara e hipi mbi një dru mani që ta shihte, sepse nga ajo udhë do të shkonte.
  5. Edhe Jisui, si erdhi në atë vend, ngriti sytë dhe e pa atë, dhe i tha: Zakhe, zbrit shpejt; sepse sot unë do të qëndroj në shtëpinë tënde.
  6. Edhe ai zbriti shpejt dhe e priti duke u gëzuar.
  7. Edhe të gjithë kur panë murmurisnin, duke thënë se hyri të rrijë te një njeri mëkatar.
  8. Edhe Zakheu qëndroi e i tha Zotit: Ja, o Zot, gjysmën e pasurisë sime tek po ua jap të varfërve, dhe në i kam marrë gjë njeriu me përdhunë, ia kthej për një katër.
  9. Edhe Jisui i tha se sot u bë shpëtim në këtë shtëpi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit.
  10. Sepse Biri i njeriut erdhi të kërkojë e të shpëtojë të humburën.
  11. Edhe kur ata dëgjonin këto, Jisui shtoi e tha një paravoli, sepse ishte afër Jerusalemit, dhe ata pandehnin se menjëherë do të dukej mbretëria e Perëndisë.
  12. Tha pra: Një njeri i fisëm shkoi në një vend të largët për të marrë një mbretëri për veten e tij, e pastaj të kthehet.
  13. Edhe thirri dhjetë shërbëtorë të tij, e u dha dhjetë mna, dhe u tha: Punojini këto deri sa të vij.
  14. Po qytetarët e tij e kishin smirë dhe dërguan lajm pas atij, duke thënë: Nuk e duam këtë të mbretërojë mbi ne.
  15. Edhe si mori mbretërinë u kthye prapë, dhe tha të thirren tek ai ata shërbëtorët, të cilëve u pati dhënë argjendin, për të marrë vesh ç’kishte fituar gjithësecili.
  16. Edhe erdhi i pari, duke thënë: Zot, mnaja jote fitoi dhjetë mna.
  17. Edhe ai i tha: Të lumtë, shërbëtor i mirë; meqenëse u bëre besnik në të paktën, ki pushtet përmbi dhjetë qytete.
  18. Erdhi edhe i dyti, duke thënë: Zot, mnaja jote bëri pesë mna.
  19. I tha edhe këtij: Edhe ti bëhu zot përmbi pesë qytete.
  20. Erdhi edhe tjetri, duke thënë: Zot, ja mnaja jote, të cilën e pata ruajtur në një shami,
  21. sepse të pata frikë se je njeri i ashpër; merr atë që s’ke vënë, dhe korr atë që s’ke mbjellë.
  22. Edhe ai i thotë: Prej gojës tënde kam për të të gjykuar, shërbëtor i keq. Ti e dije se unë jam njeri i ashpër, dhe marr atë që s’kam vënë, dhe korr atë që s’kam mbjellë;
  23. Përse pra nuk e dhe argjendin tim në bankë, që, kur të vija unë, ta merrja bashkë me kamatën?
  24. Atëherë u tha atyre që rrinin përpara: Merrni mnanë prej atij dhe jepjani atij që ka të dhjetë mnatë.
  25. Edhe ata i thanë: Zot, ai ka dhjetë mna.
  26. Sepse po ju them juve, se kujtdo që ka do t’i jepet; dhe prej atij që s’ka, edhe ajo që ka do të merret prej atij.
  27. Por ata armiqtë e mi që s’më deshën të mbretëroj mbi ta, sillini këtu, dhe therini ata përpara meje.
  28. Edhe si tha këto, shkonte përpara, duke u ngjitur në Jerusalem.
  29. Edhe si u afrua në Betfagji e në Betani, pranë malit që quhet i Ullinjve, dërgoi dy nga nxënësit e tij,
  30. duke u thënë: Shkoni në fshatin e përtejmë, në të cilën kur të hyni, do të gjeni një pulisht lidhur, mbi të cilin s’ka hipur kurrë asnjeri; zgjidheni dhe silleni.
  31. Edhe nëse ju pyet ju ndonjë: Përse e zgjidhni? Kështu t’i thoni, se Zoti ka nevojë për të.
  32. Edhe si shkuan ata që u dërguan, gjetën siç u tha atyre.
  33. Edhe kur ata po zgjidhnin pulishtin, të zotët e tij u thanë atyre: Përse e zgjidhni pulishtin?
  34. Edhe ata u thanë: Zoti ka nevojë për të.
  35. Edhe e prunë te Jisui. Edhe si hodhën rrobat e tyre mbi pulishtin, hipën Jisuin mbi të.
  36. Edhe tek po shkonte, turmat shtronin rrobat e tyre udhës.
  37. Edhe kur u afrua ai tanimë në të zbritur të Malit të Ullinjve, gjithë grumbulli i nxënësve zunë të gëzoheshin e të lavdëronin Perëndinë me zë të madh për gjithë çuditë që panë,
  38. duke thënë: I bekuar qoftë mbreti që vjen në emrin e Zotit; paqe në qiell, dhe lavdi në të lartat.
  39. 39 Edhe disa Farisenj prej turmës i thanë: Mësues, qorto nxënësit e tu.
  40. Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Po ju them juve, se në pushofshin këta, gurët do të thërresin.
  41. Edhe kur u afrua dhe pa qytetin, qau për atë,
  42. duke thënë se sikur të dije edhe ti, të paktën sot në këtë ditën tënde, ato që janë për paqen tënde, sa mirë do të ishte! Po tani u fshehën prej syve të tu,
  43. sepse kanë për të ardhur ditë për ty, dhe armiqtë e tu kanë për të bërë hendek rreth teje, dhe kanë për të të rrethuar, dhe kanë për të të shtrënguar nga të gjitha anët.
  44. Edhe kanë për të rrëzuar poshtë ty dhe djemtë e tu që gjenden tek ti, dhe nuk kanë për të lënë tek ti gur mbi gur; sepse nuk njohe kohën që erdhën për të të parë ty.
  45. Edhe si hyri në tempull, zuri t’i nxirrte jashtë ata që shitnin e blinin në të,
  46. duke u thënë atyre: Eshtë shkruar “Shtëpia ime është shtëpi lutjeje”; po ju e bëtë “shpellë kusarësh”.
  47. Edhe ishte duke mësuar përditë në tempull; dhe kryepriftërinjtë e shkruesit dhe të parët e popullit kërkonin ta prishnin;
  48. po nuk gjenin se ç’t’i bënin, sepse gjithë populli ishte varur pas tij për ta dëgjuar.
 
Ma artikuj...