AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Ungjilli sipas Joanit

Joani 7

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Joanit

Joani 7

  1. Edhe pas këtyre Jisui shkonte në Galile; sepse s’donte të shkonte në Jude, se Judenjtë kërkonin ta vrisnin.
  2. Edhe ishte afër e kremtja e Judenjve, tendëngritja.
  3. Të vëllezërit pra i thanë: Ik së këtejmi, dhe shko në Jude, që të shohin edhe nxënësit e tu punët e tua që bën.
  4. Sepse asnjë s’bën gjë fshehurazi, dhe kërkon vetë të jetë i shfaqur. Nëse bën këto, shfaq veten tënde në botë.
  5. Sepse as të vëllezërit e tij nuk i besonin.
  6. Jisui u thotë pra atyre: Koha ime ende s’ka ardhur, po koha juaj është përherë gati.
  7. Bota s’mund t’ju ketë mëri ju; por mua më ka mëri, sepse unë dëshmoj për të se punët e saj janë të liga.
  8. Ju ngjituni (në Jerusalem) në këtë të kremte; unë ende nuk ngjitem në këtë të kremte, sepse koha ime ende nuk është plotësuar.
  9. Edhe si u tha atyre këto, qëndroi në Galile.
  10. Edhe si u ngjitën të vëllezërit, u ngjit edhe ai në të kremten, jo haptas, po si fshehurazi.
  11. Judenjtë pra e kërkonin në të kremten, dhe thoshin: Ku është ai?
  12. Edhe kishte për atë shumë pëshpëritje në mes të turmës. Disa thoshin se është i mirë, e të tjerë thoshin: Jo, por gënjen turmën.
  13. Po asnjë nuk fliste sheshit për të, nga frika e Judenjve.
  14. Edhe tani ndërsa ishte përgjysmë e kremtja, Jisui u ngjit në tempull, dhe i mësonte.
  15. Edhe Judenjtë çuditeshin, duke thënë: Si di ky dituri pa mësuar?
  16. Jisui iu përgjigj atyre, e tha: Mësimi im nuk është imi, po i atij që më ka dërguar.
  17. Në do ndonjë të bëjë dëshirën e tij, do të njohë për mësimin në është nga Perëndia, apo në flas unë prej vetes sime.
  18. Ai që flet prej vetes së tij, kërkon lavdinë e tij; po ai që kërkon lavdinë e atij që e ka dërguar, ky është i vërtetë, dhe padrejtësi tek ai nuk ka.
  19. A nuk ju dha juve ligjin Moisiu? Edhe asnjë prej jush s’bën ligjin. Pse kërkoni të më vrisni?
  20. Turma u përgjigj e tha: Ke djallin. Cili kërkon të të vrasë?
  21. Jisui u përgjigj e u tha atyre: Një punë bëra, dhe të gjithë çuditeni.
  22. Prandaj Moisiu ju ka dhënë juve rrethprerjen, jo se është nga Moisiu, por nga etërit, dhe të shtunën rrethprisni njeri.
  23. Në qoftë se njeriu merr rrethprerje ditën e shtunë, që të mos prishet ligji i Moisiut, me mua zemëroheni, sepse një njeri të tërë e bëra të shëndoshë ditën e shtunë?
  24. Mos gjykoni për sy e faqe, po gjykoni gjyqin e drejtë.
  25. Disa prej Jerusalemasve thoshin: A nuk është ky që kërkonin ta vrasin?
  26. Por ja tek flet në sy, dhe s’i thonë asgjë. Mos e njohën me të vërtetë të parët se ky është me të vërtetë Krishti?
  27. Po këtë e dimë nga është, po kur të vijë Krishti, asnjë s’e di nga është.
  28. Jisui pra thërriti duke mësuar në tempull, dhe tha: Edhe mua më njihni, edhe nga jam e dini; dhe s’kam ardhur prej vetiu, por është i vërtetë ai që më ka dërguar, të cilin ju nuk e njihni.
  29. Po unë e njoh atë, sepse jam prej atij, dhe ai më dërgoi.
  30. Kërkonin pra ta zënë; po asnjë s’vuri dorën mbi të, sepse ende s’i kishte ardhur ora.
  31. Edhe shumë veta prej turmës i besuan, dhe thoshin se kur të vijë Krishti, mos do të bëjë më shumë shenja se këto që bëri ky?
  32. Farisenjtë dëgjuan turmën se po pëshpërisin këto për atë; dhe dërguan Farisenjtë e kryepriftërinjtë shërbëtorë që ta zënë.
  33. Jisui pra u tha: Edhe pak kohë jam bashkë me ju, dhe shkoj tek ai që më dërgoi.
  34. Do të më kërkoni, e nuk do të më gjeni. Edhe atje ku jam unë, ju s’mund të vini.
  35. Judenjtë pra thanë me veten e tyre: Ku do të shkojë ky, që ne nuk do ta gjejmë? Mos do të shkojë tek ata që janë shpërndarë ndër Grekët, e të mësojë Grekët?
  36. Ç’është kjo fjalë që tha: Do të më kërkoni, e nuk do të më gjeni? Dhe: Ku jam unë, ju s’mund të vini?
  37. Edhe ditën e fundit, ditën e madhe të së kremtes, Jisui qëndroi e thirri, duke thënë: Kush të ketë etje, le të vijë tek unë e le të pijë.
  38. Ai që më beson mua, siç tha Shkrimi, lumenj uji të gjallë do të rrjedhin nga barku i tij.
  39. Edhe këtë e tha për Shpirtin që kishin për të marrë ata që do t’i besonin; sepse ende s’ishte dhënë Shpirti i Shenjtë; sepse Jisui ende s’ishte lavdëruar.
  40. Shumë veta pra prej turmës kur dëgjuan këtë fjalë, thoshin: Ky është me të vërtetë profeti.
  41. Të tjerë thoshin: Ky është Krishti. Po të tjerë thoshin: Mos vjen Krishti nga Galilea?
  42. A nuk tha shkrimi se Krishti vjen nga fara e Davidit dhe nga fshati Betlehem, prej ku ishte Davidi?
  43. U bë pra një çarje në turmë për të.
  44. Edhe disa prej tyre donin ta kapnin; po asnjë s’vuri duart mbi të.
  45. Erdhën pra shërbëtorët te kryepriftërinjtë e te Farisenjtë, dhe ata u thanë atyre: Pse nuk e prutë?
  46. Shërbëtorët u përgjigjën: Kurrë s’ka folur njeri kështu, si ky njeri.
  47. Farisenjtë pra iu përgjigjën atyre: Mos u gënjyet edhe ju?
  48. Mos i ka besuar atij ndonjë prej të parëve a prej Farisenjve?
  49. Po kjo turmë që s’di ligjin, janë të mallkuar.
  50. U thotë atyre Nikodhimi, ai që pati ardhur natën tek ai, i cili ishte një prej atyre:
  51. Mos e gjykon njeriun ligji ynë, pa e dëgjuar më parë atë, e pa marrë vesh se ç’bën?
  52. U përgjigjën e i thanë: Mos je edhe ti nga Galilea? Vëzhgo e shih, se profet nga Galilea nuk është ngritur.
  53. Edhe gjithësecili shkoi në shtëpinë e tij.
 

Joani 8

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Joanit

Joani 8

  1. Edhe Jisui shkoi në Malin e Ullinjve.
  2. Edhe në të gdhirë erdhi përsëri në tempull, dhe gjithë populli vinte tek ai; dhe ai ndenji e i mësonte.
  3. Edhe shkruesit e Farisenjtë i sjellin një grua të zënë në shkelje kurore, dhe si e vunë në mes,
  4. i thonë: Mësues, kjo grua është zënë në veprim duke shkelur kurorën.
  5. Edhe Moisiu në ligj na ka porositur të tillat të vriten me gurë; ti pra ç’thua?
  6. Edhe këtë e thoshin duke e ngarë atë, që të kenë me se ta akuzojnë. Por Jisui u ul e shkruante me gishtin mbi dhe.
  7. Edhe pasi qëndronin duke pyetur atë, u ngrit e u tha atyre: Kush prej jush është i pafajshëm, ky le të hedhë më përpara gurin mbi të.
  8. Edhe përsëri u ul e shkruante mbi dhe.
  9. Edhe ata kur dëgjuan, dhe pasi qortoheshin prej ndërgjegjes, zunë të dilnin jashtë një nga një, që nga pleqtë e deri tek i fundit; dhe Jisui mbeti vetëm, dhe gruaja po rrinte në mes.
  10. Edhe Jisui si u ngrit dhe nuk pa asnjë veç gruas, i tha asaj: Grua, ku janë ata që të akuzonin? Asnjë s’të dënoi?
  11. Edhe ajo tha: Asnjë, Zot. Edhe Jisui i tha: As unë nuk të dënoj; shko, dhe mos mëkato më.
  12. Jisui pra përsëri u foli atyre, duke thënë: Unë jam drita e botës. Ai që më vjen pas, nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës.
  13. Farisenjtë pra i thanë: Ti dëshmon për veten tënde. Dëshmia jote nuk është e vërtetë.
  14. Jisui u përgjigj e u tha atyre: Edhe në dëshmofsha unë për veten time, dëshmia ime është e vërtetë, sepse e di nga erdha e ku shkoj; por ju s’e dini nga erdha e ku shkoj.
  15. Ju gjykoni sipas mishit; unë nuk gjykoj asnjeri.
  16. Po edhe në gjykofsha unë, gjyqi im është i vërtetë; sepse nuk jam vetëm, por unë dhe Ati që më dërgoi.
  17. Edhe në ligjin tuaj është shkruar se dëshmia e dy njerëzve është e vërtetë.
  18. Unë jam ai që dëshmoj për veten time, dhe Ati që më dërgoi dëshmon për mua.
  19. I thoshin pra: Ku është Ati yt? Jisui u përgjigj: As mua s’më dini kush jam, as Atin tim; po të më dinit mua, do të dinit edhe Atin tim.
  20. Këto fjalë i foli Jisui në vendin e thesarit, duke mësuar njerëzit në tempull; dhe asnjë nuk e zuri, sepse ende s’i kishte ardhur ora.
  21. Jisui pra përsëri u tha atyre: Unë po shkoj, dhe do të më kërkoni, dhe do të vdisni në mëkatin tuaj. Ku shkoj unë, ju nuk mund të vini.
  22. Judenjtë pra thoshin: Mos do të vrasë veten, e prandaj thotë: Ku shkoj unë, ju nuk mund të vini?
  23. Edhe ai u tha atyre: Ju jeni prej atyre që janë poshtë, unë jam prej atyre që janë lart. Ju jeni prej kësaj bote, unë nuk jam prej kësaj bote.
  24. Ju thashë pra juve se do të vdisni në mëkatet tuaja; sepse në mos besofshi se unë jam, do të vdisni në mëkatet tuaja.
  25. I thoshin pra: Cili je ti? Edhe Jisui u tha atyre: Ai që ju thashë juve që në fillim.
  26. Shumë kam për të thënë e për të gjykuar për ju; po ai që më dërgoi është i vërtetë, dhe unë sa dëgjova prej atij, këto i them botës. -
  27. Ata nuk kuptuan se u thoshte për Atin.
  28. Jisui pra u tha atyre: Kur të ngrini lart Birin e njeriut, atëherë do të njihni se unë jam, dhe nuk bëj asgjë prej vetes sime, por siç më mësoi Ati im, këto flas.
  29. Edhe ai që më dërgoi është bashkë me mua. Ati nuk më la vetëm, sepse unë bëj përherë ato që i pëlqejnë atij.
  30. Ndërsa ai ishte duke folur këto, shumë veta i besuan.
  31. Jisui pra u thoshte Judenjve që i kishin besuar: Në qoftë se besoni ju në fjalën time, jeni me të vërtetë nxënësit e mi,
  32. edhe do të njihni të vërtetën, dhe e vërteta do t’ju çlirojë ju.
  33. Iu përgjigjën atij: Jemi fara e Abrahamit dhe asnjeriu nuk i jemi bërë kurrë shërbëtorë. Si thua ti se do të bëheni të lirë?
  34. Jisui iu përgjigj atyre: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se kushdo që bën mëkatin, shërbëtor i mëkatit është.
  35. Edhe shërbëtori nuk mbetet në shtëpi për gjithë jetën; po biri mbetet për gjithë jetën.
  36. Në ju çliroftë pra ju Biri, me të vërtetë do të jeni të lirë.
  37. E di se jeni fara e Abrahamit; por kërkoni të më vrisni, sepse fjala ime nuk zë vend ndër ju.
  38. Unë flas ç’kam parë pranë Atit tim dhe ju gjithashtu bëni ç’keni parë pranë atit tuaj.
  39. Iu përgjigjën e i thanë: Ati ynë është Abrahami. Jisui u thotë atyre: Po të ishit bij të Abrahamit, punët e Abrahamit do të bënit.
  40. Po tani kërkoni të më vrisni, mua njeriun që ju kam folur të vërtetën që dëgjova prej Perëndisë. Abrahami këtë nuk e bëri.
  41. Ju bëni punët e atit tuaj. I thanë pra atij: Ne s’kemi lindur prej imoraliteti; një atë kemi, Perëndinë.
  42. Jisui pra u tha atyre: Po të ishte Perëndia ati juaj, do të më donit; sepse unë prej Perëndisë dola dhe prej atij vij; sepse nuk erdha prej vetes sime, po ai më dërgoi.
  43. Pse nuk njihni të folurit tim? Sepse nuk mund të dëgjoni fjalën time.
  44. Ju jeni prej djallit, atit tuaj, dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj. Ai ishte që në fillim njerivrasës, dhe nuk qëndron në të vërtetën; sepse të vërtetë nuk ka tek ai. Kur flet gënjeshtrën, flet nga të tijat; sepse është gënjeshtar, dhe i ati i saj, i gënjeshtrës.
  45. Po mua, sepse them të vërtetën, nuk më besoni.
  46. Cili prej jush më shan për mëkat? Po në them të vërtetën, pse s’më besoni ju?
  47. Ai që është prej Perëndisë, fjalët e Perëndisë dëgjon; prandaj ju nuk dëgjoni, sepse prej Perëndisë nuk jeni.
  48. Judenjtë pra u përgjigjën e i thanë: A nuk themi mirë ne se ti je Samaritan, dhe djall ke?
  49. Jisui u përgjigj: Unë djall s’kam, po nderoj Atin tim, dhe ju më çnderoni.
  50. Edhe unë s’kërkoj lavdinë time; është ai që kërkon e që gjykon.
  51. Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, në ruajtë ndonjë fjalën time, nuk do të shohë vdekje për gjithë jetën.
  52. Judenjtë pra i thanë: Tani e morëm vesh se ke djall. Abrahami vdiq dhe profetët vdiqën, dhe ti thua: Në ruajtë ndonjë fjalën time, nuk do të provojë vdekje për gjithë jetën.
  53. A mos je ti më i madh se ati ynë Abraham, i cili vdiq? Edhe profetët vdiqën. Ti, cilin e bën veten tënde?
  54. Jisui u përgjigj: Unë, në lavdëroj veten time, lavdia ime s’është asgjë; Ati im është ai që më lavdëron, për të cilin ju thoni se është Perëndia juaj.
  55. Edhe s’e keni njohur, po unë e njoh; dhe në thënça se nuk e njoh, do të jem si ju, gënjeshtar; por e njoh dhe ruaj fjalën e tij.
  56. Abrahami, ati juaj, gëzohej që të shihte ditën time; dhe e pa e u gëzua.
  57. Judenjtë pra i thanë: Pesëdhjetë vjet ende s’i ke, dhe Abrahamin e ke parë?
  58. Jisui u tha atyre: Me të vërtetë, me të vërtetë, po ju them juve: Para se të lindë Abrahami, unë jam.
  59. Ngritën pra gurë që t’i hidhnin kundër tij; por Jisui u fsheh dhe doli nga tempulli, dhe shkoi nëpërmes tyre; dhe kështu iku.
 

Joani 9

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Joanit

Joani 9

  1. Edhe duke shkuar, pa një njeri të verbër që prej lindjes.
  2. Edhe nxënësit e tij e pyetën, duke thënë: Rabi, cili mëkatoi, ky apo prindërit e tij, që të lindë i verbër?
  3. Jisui u përgjigj: As ky mëkatoi, as prindërit e tij, po që të tregohen punët e Perëndisë tek ai.
  4. Unë duhet të bëj punët e atij që më dërgoi, deri sa është ditë; vjen nata, kur asnjë s’mund të punojë.
  5. Sa të jem në botë, jam drita e botës.
  6. Pasi tha këto, pështyu përdhe dhe bëri baltë prej pështymës, dhe leu sytë e të verbërit me baltën;
  7. Edhe ai i tha atij: Shko e lahu në pellgun e Siloamit, që e përkthyer domethënë i Dërguar. Shkoi pra e u la, dhe erdhi duke parë.
  8. Fqinjët pra, dhe ata që e kishin parë më përpara se ishte i verbër, thoshin: A nuk është ky ai që rrinte e lypte?
  9. Të tjerë thoshin se ky është; dhe të tjerë se i shëmbëllen; por ai u thoshte se unë jam.
  10. I thoshin pra: Si t’u hapën sytë?
  11. Ai u përgjigj e tha: Një njeri që quhet Jisu bëri baltë dhe më leu sytë e më tha: Shko në pellgun e Siloamit dhe lahu. Edhe si shkova e u lava, hapa sytë.
  12. I thanë pra: Ku është ai? Thotë: Nuk e di.
  13. E sjellin te Farisenjtë atë që ishte njëherë i verbër.
  14. Edhe ishte e shtunë, kur bëri baltën Jisui dhe i hapi atij sytë.
  15. Përsëri pra e pyesnin edhe Farisenjtë: Si i hapi sytë? Edhe ai u tha atyre: Vuri baltë mbi sytë e mi, dhe u lava, dhe shoh.
  16. Disa pra prej Farisenjve thoshin: Ky njeri nuk është nga Perëndia, sepse nuk ruan të shtunën. Të tjerë thoshin: Si mund të bëjë të tilla çudira një njeri mëkatar? Edhe kishte një përçarje në mes tyre.
  17. I thonë përsëri të verbërit: Ti ç’thua për atë, sepse të hapi sytë? Edhe ai tha se është profet.
  18. Judenjtë pra nuk besuan për atë se ishte i verbër dhe hapi sytë, deri sa thërritën prindërit e atij që iu hapën sytë.
  19. Edhe i pyetën duke thënë: Ky është biri juaj, për të cilin ju thoni se ka lindur i verbër? Si sheh pra tani?
  20. Prindërit e atij iu përgjigjën atyre, e thanë: E dimë se ky është biri ynë, dhe se ka lindur i verbër.
  21. Po si sheh tani nuk e dimë; ose cili i hapi sytë, ne nuk e dimë; ai moshën e ka, pyeteni. Ai do të flasë për veten e tij.
  22. Këto thanë prindërit e tij, sepse kishin frikë nga Judenjtë; sepse Judenjtë tani kishin lidhur fjalë, që ai që ta pohojë për Krisht të nxirret jashtë sinagogës.
  23. Prandaj prindërit e tij thanë se moshën e ka, pyeteni.
  24. Thirrën pra për së dyti njeriun që kishte qenë i verbër, dhe i thanë: Jepi lavdi Perëndisë; ne e dimë se ky njeri është mëkatar.
  25. Ai pra u përgjigj e tha: Në është mëkatar, nuk e di; një gjë di, se qeshë i verbër, dhe tani shoh.
  26. Edhe i thanë përsëri: Ç’të bëri? Si t’i hapi sytë?
  27. Iu përgjigj atyre: Tani jua thashë juve, dhe nuk dëgjuat; ç’doni përsëri të dëgjoni? Mos edhe ju doni të bëheni nxënës të tij?
  28. E shanë pra, dhe thanë: Ti je nxënës i atij, po ne jemi nxënës të Moisiut.
  29. Ne dimë se Perëndia i foli Moisiut, po këtë nuk e dimë nga është.
  30. Njeriu u përgjigj e u tha atyre: Në këtë është me të vërtetë çudia, se ju s’e dini nga është, dhe mua më hapi sytë.
  31. Edhe e dimë se Perëndia nuk dëgjon mëkatarë; po në pastë ndonjë frikë Perëndie dhe të bëjë dëshirën e tij, këtë e dëgjon.
  32. Që prej fillimit të jetës nuk është dëgjuar se hapi njeri sytë e ndonjërit që ka lindur i verbër.
  33. Po të mos ishte ky nga Perëndia, nuk do të mund të bënte asgjë.
  34. U përgjigjën e i thanë: Ti ke lindur i tërë në mëkate, dhe ti na mëson? Dhe e nxorën jashtë.
  35. Jisui dëgjoi se e nxorën jashtë; dhe si e gjeti, i tha: I beson Birit të Perëndisë?
  36. Ai u përgjigj e tha: Cili është ai, Zot, që t’i besoj?
  37. Edhe Jisui i tha: Edhe e ke parë, dhe ai është që flet bashkë me ty.
  38. Edhe ai tha: Besoj, o Zot, dhe iu fal.
  39. Pastaj Jisui tha: Unë për gjyq kam ardhur në këtë botë, që të shohin ata që nuk shohin, dhe të bëhen të verbër ata që shohin.
  40. Edhe sa prej Farisenjve ishin bashkë me të i dëgjuan këto, dhe i thanë: Mos jemi edhe ne të verbër?
  41. Jisui u tha atyre: Po të ishit të verbër, nuk do të kishit mëkat; por tani thoni se shohim; mëkati juaj pra mbetet.
 

Joani 10

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Joanit

Joani 10

  1. Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve: Ai që nuk hyn nga dera në oborrin e dhenve, po hipën që gjetkë, ai është vjedhës e kusar.
  2. Por ai që hyn nga dera, është bariu i dhenve.
  3. Këtij i hap derën portieri; dhe dhentë dëgjojnë zërin e tij; dhe i thërret dhentë e tij me emër, dhe i nxjerr.
  4. Edhe kur nxjerr dhentë e tij, shkon përpara tyre; dhe dhentë i shkojnë prapa, sepse e njohin zërin e tij.
  5. Po të huajit nuk do t’i shkojnë prapa, por do të ikin prej tij; sepse nuk e njohin zërin e të huajve.
  6. Këtë paravoli u tha atyre Jisui, po ata nuk kuptuan ç’ishin këto që u fliste atyre.
  7. Jisui pra u tha atyre përsëri: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se unë jam dera e dhenve.
  8. Gjithë sa erdhën para meje janë vjedhës e kusarë; po dhentë nuk u dëgjuan atyre.
  9. Unë jam dera; në hyftë ndonjë me anën time, do të shpëtojë, dhe do të hyjë, dhe do të dalë, dhe do të gjejë kullotë.
  10. Vjedhësi nuk vjen, veçse për të vjedhur e për të therur e për të prishur; unë erdha që të kenë jetë, dhe ta kenë me të tepërt.
  11. Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë vë jetën e tij për dhentë.
  12. Po ai që është i pajtuar, dhe që s’është bari, i cili nuk i ka dhentë të tijat, sheh ujkun duke ardhur, dhe lë dhentë e ikën, dhe ujku i rrëmben ato, dhe shpërndan dhentë.
  13. Edhe i pajtuari ikën, sepse është i pajtuar, dhe s’do të dijë për dhentë.
  14. Unë jam bariu i mirë, dhe njoh të miat, dhe njihem prej të miave,
  15. Siç më njeh Ati edhe unë e njoh Atin; dhe vë jetën time për dhentë.
  16. Kam edhe të tjera dhen, të cilat s’janë prej këtij oborri; duhet t’i mbledh edhe ato; dhe do të dëgjojnë zërin tim; dhe do të bëhet një tufë, një bari.
  17. Prandaj Ati më do, sepse unë vë jetën time, që ta marr përsëri.
  18. Asnjë s’e heq prej meje, po unë e vë prej vetiu; kam pushtet ta vë, dhe kam pushtet ta marr përsëri. Këtë porosi mora prej Atit tim.
  19. Përsëri pra u bë një çarje në mes të Judenjve për këto fjalë.
  20. Edhe shumë prej tyre thoshin: Djall ka, dhe është i marrë; ç’e dëgjoni?
  21. Të tjerë thoshin: Këto fjalë nuk janë prej të demonizuari; mos mundet djalli t’u hapë sytë të verbërve?
  22. Edhe u bë e kremtja e shenjtërimit të tempullit në Jerusalem, dhe ishte dimër.
  23. Edhe Jisui ecte në tempull, në portikun e Solomonit.
  24. Judenjtë pra e rrethuan, dhe i thoshin: Deri kur do ta mbash në dyshim shpirtin tonë? Nëse je Krishti, na e thuaj në sy.
  25. Jisui iu përgjigj atyre: Ju thashë juve, dhe nuk besoni. Punët që bëj unë në emrin e Atit tim, këto dëshmojnë për mua.
  26. Por ju nuk besoni; sepse nuk jeni prej dhenve të mia.
  27. Siç ju thashë juve, dhentë e mia dëgjojnë zërin tim, dhe unë i njoh; dhe më vijnë pas.
  28. Edhe unë u jap atyre jetë të përjetshme; dhe nuk do të humbasin për gjithë jetën, dhe nuk do t’i rrëmbejë njeri ato prej dorës sime.
  29. Ati im, që m’i ka dhënë, është më i madh se të gjithë; dhe asnjë s’mund t’i rrëmbejë prej dorës së Atit tim.
  30. Unë edhe Ati jemi një.
  31. Përsëri pra Judenjtë rrëmbyen gurë, që t’i binin me gurë.
  32. Jisui i u përgjigj atyre: Shumë punë të mira ju rrëfeva juve prej Atit tim. Për ç’punë nga ato më bini me gurë?
  33. Judenjtë iu përgjigjën, duke thënë: Nuk të qëllojmë me gurë për punë të mirë, po për blasfemi, dhe sepse ti, ndonëse je njeri, e bën veten tënde Perëndi.
  34. Jisui iu përgjigj atyre: A nuk është shkruar në ligjin tuaj: “Unë thashë: Jeni perëndira”?
  35. Në qoftë se quajti perëndira ata, tek të cilët u bë fjala e Perëndisë, dhe shkrimi s’mund të bjerë poshtë,
  36. për atë që e shenjtëroi Ati dhe e dërgoi në botë, ju thoni se ti blasfemon, sepse thashë se jam i Biri i Perëndisë?
  37. Në mos bëj punët e Atit tim, mos më besoni;
  38. Po nëse i bëj, edhe në mos më besoni mua, besojuni punëve; që të njihni e të besoni se Ati është tek unë, dhe unë tek ai.
  39. Kërkonin pra përsëri ta kapin; por ai doli nga dora e tyre.
  40. Edhe shkoi përsëri përtej Jordanit, në vendin ku ishte Joani përpara duke pagëzuar, dhe qëndroi atje.
  41. Edhe shumë veta erdhën tek ai, dhe thoshin se Joani nuk bëri asnjë çudi; po gjithë sa tha Joani për këtë, ishin të vërteta. Edhe atje shumë veta i besuan atij.
 

Joani 11

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Joanit

Joani 11

  1. Edhe ishte një njeri i sëmurë, që quhej Llazar, nga Betania, nga fshati i Marisë e i Martës, motrës së saj.
  2. Edhe Maria ishte ajo që leu Zotin me vaj ere, dhe fshiu këmbët e tij me flokët e saj, vëllai i së cilës, Llazari, ishte sëmurë.
  3. Të motrat pra dërguan, duke thënë: Zot, ja ai që do ti është sëmurë.
  4. Edhe Jisui kur dëgjoi tha: Kjo sëmundje nuk është për vdekje, po për lavdinë e Perëndisë, që të lavdërohet i Biri i Perëndisë me anë të saj.
  5. Edhe Jisui i donte Martën dhe të motrën e saj dhe Llazarin.
  6. Kur dëgjoi pra se është sëmurë, atëherë qëndroi dy ditë në atë vend ku ishte.
  7. Pastaj, pas kësaj u thotë nxënësve: Le të shkojmë prapë në Jude.
  8. Nxënësit i thonë: Rabi, tani Judenjtë kërkonin të të vrisnin me gurë, dhe përsëri po shkon atje?
  9. Jisui u përgjigj: A nuk ka dymbëdhjetë orë dita? Në ectë ndonjë ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote.
  10. Po në ectë ndonjë natën, pengohet, sepse s’ka dritë në të.
  11. Këto tha, edhe pastaj u thotë atyre: Llazari miku ynë fjeti. Po shkoj që ta zgjoj.
  12. Nxënësit e tij i thanë pra: Zot, në fjeti, do të shpëtojë.
  13. Po Jisui kishte thënë për vdekjen e tij; kurse ata pandehën se thotë për fjetjen e gjumit.
  14. Atëherë pra Jisui u tha atyre haptas: Llazari vdiq.
  15. Edhe gëzohem për ju, që të besoni, sepse nuk qeshë atje. Por le të shkojmë tek ai.
  16. Thomai pra, që quhet binjak, u tha bashkënxënësve të tij: Le të shkojmë edhe ne, që të vdesim bashkë me të.
  17. Kur erdhi pra Jisui, e gjeti se kishte tashmë katër ditë në varr.
  18. Edhe Betania ishte afër Jerusalemit rreth pesëmbëdhjetë stade.
  19. Edhe shumë prej Judenjve kishin ardhur te Marta e te Maria, që t’i ngushëllonin për të vëllanë e tyre.
  20. Marta pra kur dëgjoi se po vjen Jisui, i doli përpara; dhe Maria rrinte në shtëpi.
  21. Marta pra i tha Jisuit: Zot, të ishe këtu, im vëlla nuk do të vdiste.
  22. Po edhe tani e di se sa t’i lypësh Perëndisë, do të t’i japë Perëndia.
  23. Jisui i thotë asaj: Yt vëlla do të ngjallet.
  24. I thotë atij Marta: E di se do të ngjallet në ngjallje në ditën fundit.
  25. Jisui i tha: Unë jam ngjallja dhe jeta. Ai që më beson, edhe në vdektë, do të rrojë.
  26. Edhe kushdo që rron e më beson, nuk do të vdesë për gjithë jetën. A e beson këtë?
  27. I thotë atij: Po, Zot, unë kam besuar se ti je Krishti, i Biri i Perëndisë, që ke ardhur në botë.
  28. Edhe ajo si tha këto, shkoi e thërriti fshehtas Marinë, të motrën e saj, e i tha: Mësuesi është këtu dhe po të thërret.
  29. Ajo, kur dëgjoi, ngrihet shpejt dhe vjen tek ai.
  30. Jisui ende s’kishte ardhur në fshat, por ishte në atë vend që i doli përpara Marta.
  31. Judenjtë pra, që ishin bashkë me të në shtëpi dhe e ngushëllonin, kur panë Marinë se u ngrit shpejt e doli, i shkuan prapa, duke thënë se po shkon në varr për të qarë atje.
  32. Maria pra, si erdhi atje ku ishte Jisui, kur e pa atë, i ra ndër këmbë, duke i thënë atij: Zot, po të ishe këtu, vëllai nuk do të më vdiste.
  33. Jisui pra kur pa atë duke qarë, dhe Judenjtë që kishin ardhur bashkë me të duke qarë, psherëtiu në shpirtin e tij, dhe u turbullua,
  34. e tha: Ku e keni vënë?
  35. I thonë: Zot, Zot, eja e shih. Jisui derdhi lot.
  36. 36 Judenjtë pra thoshin: Shih sa e donte.
  37. Po disa prej tyre thanë: Nuk mundej ky që hapi sytë e të verbrit të bënte që edhe ky të mos vdiste?
  38. Jisui pra përsëri duke psherëtirë me vete vjen në varr. Edhe ishte një shpellë, dhe mbi të ishte vënë një gur.
  39. Jisui thotë: Ngrini gurin. Marta, e motra e të vdekurit, i thotë: Zot, qelbet tani, sepse ka katër ditë.
  40. Jisui i thotë asaj: A nuk të thashë se në besofsh, do të shohësh lavdinë e Perëndisë?
  41. Ngritën pra gurin, ku ishte vënë i vdekuri. Edhe Jisui ngriti sytë lart, e tha: Atë, të falëminderit se më dëgjove.
  42. Edhe unë e dija se përherë më dëgjon; po këtë e thashë për popullin që rri përreth, që të besojnë se ti më dërgove.
  43. Edhe si tha këto, thirri me zë të madh: Llazar, dil jashtë.
  44. Edhe i vdekuri doli, lidhur këmbë e duar me rripa pëlhure; dhe fytyra e tij ishte mbështjellë me qefin. Jisui u thotë atyre: Zgjidheni, dhe lëreni të shkojë.
  45. Shumë veta pra prej Judenjve, që kishin ardhur te Maria, dhe panë sa bëri Jisui, i besuan.
  46. Po disa prej tyre shkuan te Farisenjtë, dhe u thanë atyre sa bëri Jisui.
  47. Kryepriftërinjtë, pra, dhe Farisenjtë mblodhën një kuvend, dhe thoshin: Ç’të bëjmë? se ky njeri bën shumë çudira.
  48. Në e lënçim atë kështu, të gjithë do t’i besojnë; dhe do të vijnë Romakët, dhe do të prishin edhe vendin tonë edhe kombin.
  49. Edhe një nga ata, Kaiafa, që ishte kryeprift i atij viti, u tha atyre:
  50. Ju nuk dini asgjë. As nuk mendoni se është mirë për ne të vdesë një njeri për popullin, dhe të mos humbasë gjithë kombi.
  51. Edhe këtë nuk e tha prej vetes së tij, po duke qenë kryeprift i atij viti, profetizoi se Jisui kishte për të vdekur për kombin.
  52. Edhe jo për kombin vetëm, po edhe që të mbledhë në një bijtë e Perëndisë që ishin shpërndarë.
  53. Që atë ditë pra bënë këshillë që ta vrasin.
  54. Prandaj Jisui nuk ecte më haptas ndërmjet Judenjve, po shkoi së andejmi në një vend afër shkretëtirës, në një qytet që quhet Efraim, dhe atje shkonte kohën bashkë me nxënësit e tij.
  55. Edhe ishte afër pashka e Judenjve; dhe shumë veta prej atij vendi u ngjitën në Jerusalem përpara pashkës, që të pastronin veten e tyre.
  56. Kërkonin pra Jisuin, dhe i thoshin njëri-tjetrit duke ndenjur në tempull: Ç’ju duket juve? Se nuk do të vijë në të kremten?
  57. Edhe kryepriftërinjtë e Farisenjtë kishin porositur, në e marrtë vesh ndonjë se ku është, të lajmërojë, që ta kapin.
 

Joani 12

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Joanit

Joani 12

  1. Jisui pra gjashtë ditë përpara pashkës erdhi në Betani, ku ishte Llazari që pati vdekur, të cilin e kishte ngjallur prej së vdekurish.
  2. Edhe i bënë darkë atje; dhe Marta shërbente; dhe Llazari ishte një prej atyre që rrinin në tryezë bashkë me të.
  3. Atëherë Maria mori një litër vaj ere prej nardi të papërzier, shumë të shtrenjtë, dhe leu këmbët e Jisuit, dhe me flokët e saj fshiu këmbët e tij; dhe shtëpia u mbush me aromën e vajit të erës.
  4. Një, pra, nga të dymbëdhjetë nxënësit e tij, Juda Iskarioti, i biri i Simonit, ai që do ta tradhtonte, thotë:
  5. Përse të mos shitej ky vaj ere treqind dinarë e t’u jepej të varfërve?
  6. Edhe këtë e tha, jo se donte të dinte për të varfrit, po se ishte vjedhës dhe kishte kuletën e asprave, dhe mbante ç’viheshin në të.
  7. Jisui pra tha: Lëre, se e ruajti për ditën e varrimit tim.
  8. Sepse të varfrit i keni përherë bashkë me vete, po mua nuk më keni përherë.
  9. Një turmë e madhe pra prej Judenjve morën vesh se është atje; dhe erdhën jo për Jisuin vetëm, po që të shohin edhe Llazarin, të cilin e kishte ngjallur prej së vdekurish.
  10. Po kryepriftërinjtë bënë këshillë, që të vrasin edhe Llazarin.
  11. Sepse shumë veta prej Judenjve vinin për atë, dhe i besonin Jisuit.
  12. Të nesërmen një turmë e madhe që kishte ardhur në të kremten, kur dëgjuan se vjen Jisui në Jerusalem,
  13. morën degë palmash, dhe i dolën përpara ta presin, dhe thërrisnin: Hosanna, i bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit, mbreti i Izraelit.
  14. Edhe Jisui gjeti një pulisht, dhe ndenji mbi të, siç është shkruar:
  15. “Mos ki frikë, bijë e Sionit, ja mbreti yt tek po vjen duke ndenjur mbi pulisht gomareje”.
  16. Edhe nxënësit nuk i kuptuan këto në fillim; po kur u lavdërua Jisui, atëherë u ra ndër mend atyre se këto ishin shkruar për të, dhe se këto ia bënë atij.
  17. Turma pra që ishte bashkë me të dëshmonte se thirri Llazarin nga varri, dhe e ngjalli prej së vdekurish.
  18. Prandaj edhe turma i doli përpara, sepse dëgjoi se ai kishte bërë këtë çudi.
  19. Farisenjtë pra i thanë njëri-tjetrit: E shihni se nuk keni dobi fare? Ja bota tek shkoi pas atij.
  20. Edhe ishin ca Grekë në mes tyre që ishin ngjitur për t’u falur në të kremten.
  21. Këta pra erdhën te Filipi nga Betsaidaja e Galilesë, dhe i luteshin, duke thënë: Zot, duam të shohim Jisuin.
  22. Filipi vjen e i thotë Andreas; dhe përsëri Andrea e Filipi i thonë Jisuit.
  23. Edhe Jisui iu përgjigj atyre, duke thënë: Erdhi ora që të lavdërohet i Biri i njeriut.
  24. Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, në mos rëntë kokrra e grurit në dhe e të vdesë, ajo mbetet e vetme; por në vdektë, sjell shumë pemë.
  25. Ai që do jetën e tij do ta humbasë; po ai që urren jetën e tij në këtë botë, do ta ruajë për jetë të përjetshme.
  26. Në më shërben ndonjë, le të më vijë pas; dhe ku të jem unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im; dhe në qoftë se më shërben ndonjë, Ati do ta nderojë.
  27. Tani shpirti im është i turbulluar; dhe ç’të them? Atë, shpëtomë nga kjo orë. Po prandaj erdha në këtë orë.
  28. Atë, lavdëro emrin tënd. Erdhi pra një zë nga qielli: Edhe e lavdërova dhe përsëri do ta lavdëroj.
  29. Turma pra që kishte ndenjur dhe dëgjoi zërin, thoshte se u bë bubullimë; të tjerë thoshin, se një engjëll i foli atij.
  30. Jisui u përgjigj e tha: Ky zë nuk u bë për mua, po për ju.
  31. Tani është gjyqi i kësaj bote; tani urdhëruesi i kësaj bote do të hidhet jashtë.
  32. Edhe unë në u ngritsha lart nga toka, do t’i tërheq të gjithë pas vetes sime.
  33. Edhe këtë e thoshte duke treguar me çfarë vdekjeje do të vdiste.
  34. Turma u përgjigj: Ne kemi dëgjuar nga ligji se Krishti mbetet përjetë; si thua pra ti se i Biri i njeriut duhet të ngrihet lart? Cili është ky Biri i njeriut?
  35. Jisui pra, u tha atyre: Edhe pak kohë është drita bashkë me ju. Ecni deri sa keni dritën, që të mos ju zërë errësira; sepse ai që ecën në errësirë, nuk di se ku shkon.
  36. Deri sa keni dritën, t’i besoni dritës, që të bëheni bij të dritës. Këto foli Jisui, dhe iku e u fsheh prej tyre.
  37. Po ndonëse bëri kaq çudira përpara tyre, nuk i besuan,
  38. që të përmbushet fjala e profetit Isaia që tha: “Zot, kush i besoi predikimit tonë? dhe mbi cilin u zbulua krahu i Zotit?”
  39. Prandaj nuk mund të besonin, sepse përsëri Isaia tha:
  40. “Verboi sytë e tyre, dhe ashpërsoi zemrën e tyre, që të mos shohin me sytë, dhe të mos kuptojnë me zemrën, dhe të kthehen, e t’i shëroj ata”.
  41. Këto tha Isaia, kur pa lavdinë e tij dhe foli për të.
  42. Po edhe prej të parëve shumë veta besuan; po nga frika e Farisenjve nuk rrëfenin, që të mos i nxirrnin jashtë sinagogës;
  43. sepse deshën lavdinë e njerëzve më tepër se lavdinë e Perëndisë.
  44. Edhe Jisui bërtiti e tha: Ai që më beson mua, nuk më beson mua, po atij që më dërgoi.
  45. Edhe ai që më vë re mua, vë re atë që më dërgoi.
  46. Unë kam ardhur dritë në botë, që të mos mbetet në errësirë kushdo që të më besojë.
  47. Edhe në dëgjoftë ndonjë fjalët e mia dhe të mos besojë, unë nuk e gjykoj; sepse nuk erdha të gjykoj botën, po që të shpëtoj botën.
  48. Atë që më hedh poshtë, dhe nuk pret fjalët e mia, ka se kush ta gjykojë; fjala që fola, ajo do ta gjykojë në ditën e fundit.
  49. Sepse unë nuk fola nga vetja ime, por Ati që më dërgoi, ai më dha porosi ç’të them e ç’të flas.
  50. Edhe e di se porosia e tij është jeta e përjetshme; pra sa flas unë, siç më ka thënë Ati, kështu flas.
 
Περισσότερα Άρθρα...