Edhe ushtarët thurën një kurorë prej ferrash e ia vunë mbi krye, dhe i veshën një rrobë të kuqe.
Edhe thoshin: Gëzohu, o mbret i Judenjve! Dhe i binin me shuplaka.
Pilati pra doli përsëri jashtë dhe u thotë atyre: Ja tek po jua sjell jashtë, që ta dini se asnjë faj nuk gjej tek ai.
Jisui pra doli jashtë veshur me kurorën prej ferrash dhe rrobën e kuqe. Edhe Pilati u thotë atyre: Ja njeriu!
Kur e panë atë kryepriftërinjtë dhe shërbëtorët, bërtitën duke thënë: Kryqëzoje, kryqëzoje. Pilati u thotë atyre: Merreni ju atë, dhe kryqëzojeni; sepse unë nuk gjej faj tek ai.
Judenjtë iu përgjigjën: Ne kemi ligj, dhe sipas ligjit tonë ky duhet të vdesë, sepse e bëri veten e tij Bir të Perëndisë.
Pilati, pra, kur dëgjoi këtë fjalë, u frikësua më tepër.
Edhe përsëri hyri në pretore, dhe i thotë Jisuit: Nga je ti? Po Jisui nuk i dha përgjigje.
Pilati pra i thotë: Mua nuk më flet? Nuk e di ti se unë kam pushtet të të kryqëzoj, dhe kam pushtet të të lëshoj?
Jisui u përgjigj: Nuk do të kishe asnjë pushtet kundër meje, po të të mos ishte dhënë prej së larti; prandaj ai që më jep në duart e tua ka faj më të madh.
Që atëherë Pilati kërkonte ta lëshonte, po Judenjtë thërrisnin duke thënë: Në lëshofsh këtë, nuk je miku i Qezarit; gjithkush që bën veten e tij mbret, flet kundër Qezarit.
Pilati pra kur dëgjoi këtë fjalë, solli jashtë Jisuin, dhe ndenji mbi fronin e gjyqit, që quhet Gurshtruar, dhe Hebraisht Gabbatà.
Edhe ishte pragu i pashkës, dhe afërsisht ora e gjashtë; dhe u thotë Judenjve: Ja mbreti juaj.
Por ata bërtitën: Ngrije, ngrije, kryqëzoje. Pilati u thotë atyre: Mbretin tuaj të kryqëzoj? Kryepriftërinjtë u përgjigjën: S’kemi tjetër mbret veç Qezarit.
Atëherë ua dorëzoi atyre, që të kryqëzohet.
Edhe ata morën Jisuin, dhe e çuan. Edhe Jisui duke mbajtur kryqin e tij doli në vendin që quhet vendi i Kafkës, që Hebraisht quhet Golgota.
Atje e kryqëzuan atë dhe dy të tjerë bashkë me të, andej e këtej, dhe Jisuin në mes.
Pilati shkroi edhe një titull, dhe e vuri mbi kryq; dhe ishte shkruar: Jisu Nazaretasi mbreti i Judenjve.
Edhe këtë titull e kënduan shumë prej Judenjve; sepse ishte shkruar Hebraisht, Greqisht dhe Latinisht.
Edhe kryepriftërinjtë e Judenjve pra i thoshin Pilatit: Mos shkruaj: Mbreti i Judenjve, po se ai tha: Jam mbreti i Judenjve.
Pilati u përgjigj: Atë që e shkrova e shkrova.
Ushtarët pra, pasi e kryqëzuan Jisuin, morën rrobat e tij, dhe i bënë katër pjesë, dhe pelerinën; dhe pelerina ishte e paqepur, endur e tëra që së sipërmi.
Thanë pra në mes tyre: Le të mos e grisim atë, po le të hedhim short për të, kujt t’i bjerë; - që të përmbushet shkrimi që thotë: “Ndanë rrobat e mia në mes tyre, dhe shtinë short mbi pelerinën time”. Ushtarët pra këto bënë.
Edhe pranë kryqit të Jisuit ishin duke ndenjur e ëma dhe e motra e së ëmës së tij, Maria, gruaja e Klopait, dhe Maria Magdalena.
Jisui pra kur pa të ëmën dhe nxënësin që donte duke ndenjur pranë, i thotë së ëmës: Grua, ja yt bir.
Pastaj i thotë nxënësit: Ja jot ëmë. Edhe nxënësi që atëherë e mori në shtëpinë e tij.
Pas kësaj Jisui, duke ditur se tani mbaruan të gjitha, që të përmbushet shkrimi, thotë: Kam etje.
Edhe ishte atje një enë plot me uthull; dhe ata mbushën një sfungjer me uthull, dhe e vunë mbi një hisop, e ia prunë në gojë.
Jisui pra kur mori uthullën, tha: Mbaroi, dhe uli kryet e dha shpirtin.
Judenjtë pra, për të mos mbetur trupat mbi kryq për ditën e shtunë, sepse ishte e premte, - sepse ajo ditë e shtunë ishte e madhe, - iu lutën Pilatit t’u thyhen kërcinjtë e këmbëve, dhe të ngrihen andej.
Erdhën pra ushtarët dhe thyen kërcinjtë e të parit dhe të atij tjetrit që u kryqëzua bashkë me të.
Po kur erdhën tek Jisui dhe e panë se tashmë kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë.
Por një nga ushtarët i shpoi brinjën me shtizë, dhe menjëherë i doli gjak dhe ujë.
Edhe ai që pa dëshmoi, dhe dëshmia e tij është e vërtetë, dhe ai e di se thotë të vërtetën, që të besoni ju.
Sepse këto u bënë që të përmbushet shkrimi: “Eshtër nuk do t’i thyhet”.
Edhe përsëri një tjetër shkrim thotë: “Do të vështrojnë në atë që shpuan”.
Edhe pas këtyre Josifi që ishte nga Arimatea, i cili ishte nxënës i Jisuit, po i fshehtë nga frika e Judenjve, iu lut Pilatit që të ngrerë trupin e Jisuit; dhe Pilati i dha lejë. Erdhi pra dhe ngriti trupin e Jisuit.
Erdhi edhe Nikodhimi, ai që pati ardhur te Jisui një herë më parë natën, dhe pruri një përzierje mirre dhe aloe, rreth njëqind litra.
Morën pra trupin e Jisuit, dhe e mbështollën me pëlhura bashkë me aromat, siç e kanë zakon Judenjtë të fusin në varr.
Edhe në vendin që u kryqëzua ishte një kopsht, dhe në kopsht një varr i ri, në të cilin ende s’ishte vënë askush.
Atje pra vunë Jisuin për të premten e Judenjve, sepse varri ishte afër.
Edhe ditën e parë të javës vjen Maria Magdalena te varri në mëngjes, duke qenë ende errët, dhe sheh gurin ngritur nga varri.
Sulet pra dhe vjen te Simon Pjetri dhe tek nxënësi tjetër që donte Jisui, dhe u thotë atyre: E ngritën Zotin nga varri dhe nuk dimë se ku e kanë vënë.
Doli pra Pjetri dhe nxënësi tjetër, dhe vinin në varr.
Edhe suleshin të dy bashkë; dhe nxënësi tjetër u sul përpara më shpejt se Pjetri dhe erdhi më përpara në varr.
Edhe si u ul, sheh pëlhurat ku ishin, po nuk hyri.
Vjen pra Simon Pjetri duke ndjekur atë, dhe hyri në varr, dhe vë re pëlhurat ku ishin.
Edhe riza që ishte mbi kokën e tij nuk u gjet bashkë me pëlhurat, po ishte mbështjellë veçmas në një vend.
Atëherë pra hyri edhe ai nxënësi tjetër që erdhi më përpara në varr, dhe pa, dhe besoi.
Sepse ende s’kuptonin shkrimin, se ai duhet të ngjallet prej së vdekurish.
Nxënësit pra shkuan përsëri nëpër shtëpitë e tyre.
Edhe Maria rrinte pranë varrit duke qarë përjashta. Dhe tek po qante, u ul në varr.
Edhe vë re dy engjëj me rroba të bardha duke ndenjur njëri nga kreu e tjetri nga këmbët, atje ku qe trupi i Jisuit.
Edhe ata i thonë asaj: Grua, pse qan? U thotë atyre: Sepse ngritën tim Zot, dhe nuk di ku e kanë vënë.
Edhe si tha këto, u kthye prapa, dhe vë re Jisuin duke ndenjur, dhe nuk e dinte se është Jisui.
Jisui i tha asaj: Grua, pse qan? Cilin kërkon? Po ajo duke pandehur se është kopshtari, i thotë: Zot, në e ngrite ti, thuajmë ku e ke vënë, dhe unë do ta ngre atë.
Jisui i thotë asaj: Maria! Ajo kthehet e i thotë: Rabuni! që do me thënë Mësues.
Jisui i thotë asaj: Mos m’u mbështet; sepse ende s’jam ngjitur tek Ati im; po shko tek vëllezërit e mi, dhe u thuaj atyre: Po ngjitem tek Ati im edhe tek Ati juaj, dhe tek Perëndia im dhe tek Perëndia juaj.
Vjen Maria Magdalena dhe lajmëron nxënësit se pa Zotin, dhe se i tha asaj këto fjalë.
Në atë ditë pra, të parën e javës, si u ngrys, dhe dyert ishin mbyllur atje ku ishin mbledhur nxënësit nga frika e Judenjve, erdhi Jisui dhe ndenji në mes, dhe u thotë atyre: Paqe mbi ju.
Edhe si tha këtë, u tregoi atyre duart dhe brinjën e tij. U gëzuan pra nxënësit kur panë Zotin.
Edhe Jisui u tha atyre përsëri: Paqe mbi ju. Siç më dërgoi Ati, edhe unë ju dërgoj ju.
Edhe si tha këtë, fryu dhe u thotë atyre: Merrni Frymë të Shenjtë.
Kujtdo që t’u falni mëkatet, u janë falur atyre; kujtdo që t’ua mbani, u janë mbajtur atyre.
Po Thomai, një nga të dymbëdhjetët, që quhet Binjak, nuk ishte bashkë me ata, kur erdhi Jisui.
Nxënësit e tjerë pra i thoshin: Pamë Zotin. Po ai u tha atyre: Në mos pafsha në duart e tij shenjën e gozhdëve, dhe të vë gishtin tim në shenjën e gozhdëve, dhe të vë dorën në brinjën e tij, s’kam për të besuar.
Edhe pas tetë ditësh përsëri ishin brenda nxënësit e tij, edhe Thomai me ata. Vjen Jisui, ndonëse dyert ishin mbyllur, dhe ndenji në mes e tha: Paqe mbi ju.
Pastaj i thotë Thomait: Sill gishtin tënd këtu, dhe shih duart e mia; dhe sill dorën tënde e vëre në brinjën time, dhe mos u bëj i pabesë, po besnik.
Edhe Thomai u përgjigj, e i tha: Zoti im dhe Perëndia im.
Jisui i thotë: Sepse më pe, besove. Lum ata që nuk panë dhe besuan.
Edhe shumë çudira të tjera bëri Jisui përpara nxënësve të tij, të cilat nuk janë shkruar në këtë libër.
Po këto u shkruan që të besoni se Jisui është Krishti, i Biri i Perëndisë, dhe duke besuar të keni jetë në emrin e tij.
Pastaj Jisui ua tregoi veten e tij përsëri nxënësve në detin e Tiberiadës; dhe e tregoi kështu:
Ishin bashkë Simon Pjetri dhe Thomai që quhet Binjak, dhe Nathanaili që është nga Kana e Galilesë, dhe të bijtë e Zevedheut, dhe dy të tjerë nga nxënësit e atij.
Simon Pjetri u thotë atyre: Po shkoj të gjuaj peshq. I thonë: Po vijmë edhe ne bashkë me ty. Dolën e hipën në lundër menjëherë, dhe atë natë nuk zunë asgjë.
Por tani, si u bë mëngjes, Jisui ndenji në breg, po nxënësit nuk e njohën se është Jisui.
Jisui pra u thotë atyre: Djem, mos keni ndonjë gjë për të ngrënë?
Iu përgjigjën: Jo. Edhe ai u tha atyre: Hidhni rrjetën në anën e djathtë të lundrës dhe do të gjeni. E hodhën pra dhe s’mundën më ta tërhiqnin nga sasia e peshqve.
Ai nxënësi pra, që donte Jisui, i thotë Pjetrit: Eshtë Zoti. Edhe Simon Pjetri, kur dëgjoi se është Zoti, u mbështoll me petkun, sepse ishte lakuriq, dhe u hodh në det.
Edhe nxënësit e tjerë erdhën me lundrën, sepse nuk ishte larg tokës, po rreth dyqind kut, duke tërhequr rrjetën e peshqve.
Edhe si zbritën pra në tokë, shohin se atje ishte një zjarr i ndezur, dhe një peshk vënë mbi të, dhe bukë.
Jisui u thotë atyre: Sillni nga peshqit që zutë tani.
Simon Pjetri hipi dhe tërhoqi rrjetën mbi tokë plot me peshq të mëdhenj, njëqind e pesëdhjetë e tre.
Jisui u thotë atyre: Ejani e hani. Po asnjë nga nxënësit nuk guxonte ta pyesë: Cili je ti? Sepse e dinin se është Zoti.
Vjen pra Jisui dhe merr bukën e ua jep, dhe peshkun gjithashtu.
Kjo është e treta herë që iu tregua tani Jisui nxënësve të tij, pasi u ngjall prej së vdekurish.
Pasi hëngrën pra, Jisui i thotë Simon Pjetrit: Simon i Jonait, a më do më tepër se këta? I thotë: Po, Zot, ti e di se të dua. I thotë atij: Kullot shqerrat e mia.
I thotë prapë për së dyti: Simon i Jonait, a më do? I thotë: Po, Zot, ti e di se të dua. I thotë: Ruaj dhentë e mia.
I thotë për së treti: A më do? Dhe i tha: Zot, ti i di të gjitha. Ti e di se të dua. Jisui i thotë: Kullot dhentë e mia.
Me të vërtetë, me të vërtetë po të them: Kur ishe më i ri, ngjishje veten tënde, dhe ecje ku të doje; po kur të plakesh, do të shtrish duart e tua, dhe tjetër njeri do të të ngjeshë ty, dhe do të të shpjerë aty ku të mos duash.
Edhe tha këtë, duke shënuar me çfarë vdekje kishte për të lavdëruar Perëndinë.
Edhe si tha këtë, i thotë: Eja pas meje. Edhe Pjetri u kthye, dhe sheh nxënësin që donte Jisui duke ardhur prapa, i cili në darkë i pati rënë mbi krahëror, e i tha: Zot, cili është ai që të tradhton?
Pjetri pra kur pa këtë, i thotë Jisuit: Zot, po ky ç’do të bëhet?
Jisui i thotë: Nëse dua të mbesë ai deri sa të vij unë, ti ç’ke? Ti eja pas meje.
Doli pra kjo fjalë ndër vëllezërit se ai nxënësi nuk vdes. Po Jisui nuk i tha se nuk vdes; por: Nëse dua të mbesë ai derisa të vij unë, ti ç’ke?
Ky është ai nxënësi që dëshmon për këto dhe që shkroi këto; dhe e dimë se dëshmia e tij është e vërtetë.
Janë edhe shumë të tjera sa bëri Jisui, të cilat në u shkrofshin një nga një, kujtoj se as bota vetë nuk do t’i nxinte librat që kishin për t’u shkruar. Amin.